Bushrani: Prizreni është kapur nga një çetë hajdutësh të maskuar si qeveri

0
192

Asambleistja e LVV-së në Prizren, Mimoza Bushrani, edhe pse mungoi për arsye shëndetësore në seancë, ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes lokale, raporton 04 Online.

Ajo e ka quajtur pushtetin aktual një “çetë hajdutësh”, duke e akuzuar për kapje të institucioneve, punësime përmes listave, korrupsion, nepotizëm dhe shpërdorim të subvencioneve.

Bushrani theksoi se dhuna fizike nga zyrtarët komunalë është dëshmi e degradimit total dhe bëri thirrje për rezistencë kundër kësaj gjendjeje të rëndë në Prizren.

Reagimi i plotë i Mimoza Bushranit

Sot mungova në seancë për arsye shëndetësore, por kjo nuk do të më ndalojë të flas dhe të reagoj për realitetin e hidhur, të dhimbshëm dhe të papranueshëm që po përjeton Prizreni ynë.

Ky pushtet nuk është asgjë tjetër përveçse një #ÇETËHAJDUTESH të maskuar në petkun qeverisës.

Institucionet janë kapur nga militantë të paaftë dhe të korruptuar, që shfrytëzojnë çdo mundësi për të përfituar dhe për të mbushur xhepat e tyre dhe të klaneve të tyre.

Administrata është kthyer në një strehë ku nepotizmi, trikat, pazaret dhe korrupsioni janë normë.

Punësimet janë bërë me lista duke përjashtuar çdo profesionist të ndershëm dhe të aftë që do të donte të punonte për qytetin dhe komunitetin.

Kjo është vrasje e mundësive, vrasje e shpresës dhe vrasje për brezat e rinj të Prizrenit.

Në vend që të kujdesen për mirëqenien e qytetarëve, këta kanë lejuar ndërtime të paligjshme dhe pa kontroll, shkatërruan hapësirat publike, parqet dhe natyrën tonë të bukur.

Rrugët janë në gjendje të mjerueshme, infrastruktura është shkatërruar.

Në krye të institucioneve që duhet të na përfaqësojnë qëndrojnë njerëz me aktakuza për shkelje, keqpërdorime të cilët vazhdojnë të sundojnë me arrogancë, pa asnjë ndjenjë përgjegjësie.

Ata nuk janë vetëm të papërgjegjshëm ata janë armiq të Prizrenit dhe të çdo qytetari që ëndërron një të ardhme më të mirë.

Dhuna fizike ndaj zyrtarëve të komunës, përfshirë edhe nga vetë shefi i kabinetit, është dëshmi e plotë e degradimit total të këtij pushteti.

Kjo dhunë nuk është rastësi është strategji për frikësim dhe kontroll.

Subvencionet, janë shndërruar në vegla për shpërblimin e militantëve dhe të afërmve të pushtetit.

Jo për ata që punojnë dhe kanë nevojë, por për ata që shërbejnë interesave partiake.

Paratë publike po shpërndahen në heshtje dhe në prapaskenë, për të blerë heshtje dhe për të ruajtur pushtetin jo për të ndihmuar qytetarët.

Kjo është jo vetëm padrejtësi, por abuzim i hapur dhe i qëllimshëm me fondet e taksapaguesve.

Prizreni po shndërrohet në një qytet ku ligji është i shkelur, ku drejtësia mungon dhe ku korrupsioni është bërë normë.

Por ne nuk do të heshtim, nuk do të dorëzohemi dhe nuk do të falim këtë grabitje dhe shkatërrim.

Prizreni është qytet i njerëzve të ndershëm, të guximshëm dhe të pamposhtur.

Ne kemi përgjegjësi të madhe ndaj fëmijëve tanë, ndaj familjeve tona dhe ndaj gjithë komunitetit për të ngritur zërin dhe për të luftuar këtë shkatërrim.

Kjo nuk është vetëm një betejë politike është një betejë për dinjitet, për drejtësi dhe për të ardhmen tonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here