Çdo ditë e më shumë po raportohen raste të dhunës në familje, ku më së shpeshti viktima janë bashkëshortet, por ka raste kur edhe prindërit përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i rëndë është raportuar të ketë ndodhur të hënën në rrugën “Brigada 123’’ në Suharekë, ku një burrë ka ushtruar dhunë ndaj gruas dhe nënës.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në orët e mbrëmjes, kur fillimisht plasi sherri pasi i dyshuari, teksa ishte nën ndikimin e alkoolit, kërkonte para nga bashkëshortja dhe nëna e tij.
Aty nisi konflikti, kur këto të fundit nuk patën mundësi t’i jepnin të holla dhe u përballën me kërcënim serioz nga burri/djali.
I dyshuari A.E., sipas informacioneve të para, me një thikë kuzhine i ka kërcënuar ato, duke iu shkaktuar shqetësim dhe frikë të madhe, e më pas të njëjtën thikë e ka ngulitur në mes të tavolinës.
Përballë kësaj situate, viktimat kanë kërkuar ndihmën e Policisë, duke e denoncuar rastin. Njësitet policore janë vënë menjëherë në lëvizje, me ç’rast kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin, i cili edhe tentoi ta fsheh thikën me të cilën i kanosi gruan e nënën.
Pas arrestimit, i njëjti është shoqëruar në stacion policor ku pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘Dhunë në familje’.