Pothuajse çdo ditë në Policinë e Kosovës denoncohen raste të dhunës në familje, ku viktima janë kryesisht gratë, të cilat përjetojnë dhunë qoftë nga bashkëshortët, apo edhe familjarët e tjerë. E në raste më të rralla, janë burrat ata që kërkojnë ndihmë si viktima të dhunës në familje, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur në një familje në rrugën ‘Rifat Krasniqi’ në Prizren, ku gruaja dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortit të saj.
Sinjali mëson se 32-vjeçari ka deklaruar se gruaja e tij vazhdimisht i kërkon para, duke e kushtëzuar me dëbim nga banesa ku banojnë bashkë.
Si rezultat i denoncimit, e dyshuara është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë dëshminë e saj lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj saj të iniciohet rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’./Gazeta Sinjali/