Një rast jo fort i zakonshëm ka ndodhur para dy ditësh, në fshatin Rusuja të Pejë, ku një çift u rrahën me njëri-tjetrin, si pasojë e një konflikti verbal, që eskaloi në dhunë. Gjithçka dyshohet se ndodhi derisa të dyshuarit ishin në gjendje të dehur, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali, burrë e grua tashmë janë dërguar në ndalim policor, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, si të dyshuar për disa vepra penale.
Por si erdhi deri te rrahja?
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se të dyshuarit kishin dalë të premten në mbrëmje, për t’u argëtuar në një kafene, ku kanë qëndruar për orë të tëra. Aty, për shkak të konsumimit të alkoolit, ata u dehën dhe më pas u nisën për në shtëpi.
Por rrugës, ata dyshohet se patën një zënkë që shkaktoi edhe rrahjen. Fillimisht e dyshuara kishte tentuar të largohej nga vetura, por nuk arriti, pasi burri e kapi për flokësh për ta mbajtur në veturë. Për pasojë edhe ajo iu kthye në sulm, duke e grushtuar, derisa arriti të largohej nga makina dhe të nisej për Polici, që ta raportojë rastin.
Teksa e njëjta ka dhënë deklaratë në Polici, është kapur edhe burri i saj i dyshuar, dhe të njëjtit kanë rezultuar se kanë qenë të dehur, pas alkotestit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tyre është nxjerrë aktvendimi për ndalim prej 48 orësh, për veprat” Dhunë në familje, Sulm dhe lëndim i lehtë trupor”.