Pas 80 vjet nën çadrën mbrojtëse amerikane, këtë fundjavë evropianët u zgjuan nga gjumi i thellë. Ka pasur edhe presidentë të tjerë amerikanë që kanë tentuar t’i zgjojnë evropianët nga gjumi. Donald Trump po e bën në mënyrën e tij
Konferenca e 61-të e Sigurisë në Mynih, e cila u mbajt këtë fundjavë, për shumë ekspertë, politikanë dhe gjeostrategë, tashmë ka hyrë në histori. Disa nga arsyet për këtë konstatim gjenden në vijim të këtij teksti.
Evropianët sigurisht prisnin që nënpresidenti amerikan JD Vance të mbante një fjalim mbi sfidat gjeostrategjike, mbi luftën në Ukrainë, mbi bisedimet e ardhshme mes presidentit Donald Trump dhe diktatorit rus, mbi rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë. Në fjalimin e tij prej 20 minutash Vance nuk i kushtoi ndoshta as 2 minuta temave e rreziqeve globale.
Zëvendëspresidenti amerikan mbajti një fjalim pak a shumë elektoral – në favor të partive të ekstremit të djathtë në Evropë. Ai tha se Evropës nuk i kanoset rreziku nga Kina dhe Rusia, por nga brendësia e saj. Ai u ankua se në Evropë po shtypet liria e fjalës. Ai protestoi kundër izolimit të një partie të ekstremit të djathtë në Gjermani, AfD, e cila nga autoritetet gjermane të sigurisë është shpallur pjesërisht e rrezikshme për rendin kushtetues. Në një hotel në Mynih Vance takoi lideren e AfD-së, Alice Weidel.
Sipas Vance, Evropa gjatë viteve të fundit na qenkësh shndërruar në një lloj zone sovjetike, ku gjoja keqtrajtohen disidentët, censurohen mendimet dhe manipulohen zgjedhjet. Ose anulohen krejtësisht si në rastin e Rumanisë.
Sa i përket Rumanisë, Vance ka të drejtë deri-diku: si është e mundur që Rusia të manipulojë zgjedhjet presidenciale rumune përmes profileve të rrejshme në TikTok dhe instrumenteve të tjera? Ku mbetet përgjegjësia e qytetarëve? Po e politikanëve? E klasës politike? Rumania duhet të shërbejë si shembull për vende të tjera: nëse klasa politike me vite të tëra mbetet e zhytur në korrupsion, skandale, keqqeverisje, një ditë shumica e qytetarëve, pasi kanë humbur durimin, u hidhen në përqafim popullistëve prorusë, siç ndodhi në Rumani. Por Rumania nuk është shembull reprezentativ për mbarë Bashkimin Evropian, siç u përpoq ta prezantojë zëvendëspresidenti amerikan në fjalimin e tij më shumë ideologjik se sa logjik. Disa shembuj të tjerë qenë absurdë. Vance u ankua se në Gjermani policia po zhvillon kontrolle kundër qytetarëve, të cilët dyshohen se kanë publikuar online komente antifeministe. Cila është e vërteta? Sipas gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung” më 7 mars 2024 policia kreu bastisje dhe mori në pyetje 45 persona për shkak të dyshimeve për komente mizogjene të botuara në platforma online. Autoritetet iu referuan një aktgjykimi ndaj një burri, i cili kishte postuar komente me plot urrejtje ndaj grave. Ai kishte shkruar se “gratë” janë “më afër kafshëve” dhe “njerëz të klasit të dytë”. A është kjo liri e shprehjes? Cila do të ishte përgjigjja e JD Vance? Nuk dihet, sepse ai pas fjalimit braktisi sallën në hotelin Bayerischer Hof. Vance u ankua se në konferencë nuk janë ftuar përfaqësues të partive populliste të majta dhe të djathta (Vance e kishte mendjen te e ashtuquajtura Alternativa për Gjermaninë dhe te politikania Sahra Wagenknecht, e cila pretendon se është majtiste, në të vërtetë është propagandiste proruse, sipas mediave kritike gjermane). Shefi i Konferencës së Sigurisë në Mynih, Christoph Heusgen, deklaroi se këto dy parti nuk janë ftuar për shkak se kanë braktisur parlamentin gjerman kur aty ka folur presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski. Sipas Heusgen, këto dy parti hedhin poshtë parimin “paqe nëpërmjet dialogut”.
Sidoqoftë, pas Konferencës së Sigurisë në Mynih, Evropa është zgjuar në një botë të re. Tronditja qe aq e madhe, saqë një diplomat evropian tha: “Të gjithë duhet të shkojnë në terapi”. Por përtej toneve dramatike duhet theksuar se SHBA-të as nuk përmendën largimin e trupave amerikane nga Evropa, as nuk e vunë në dyshim mbrojtjen e Evropës me armët e tyre bërthamore. Ndonëse kushedi çka mund të ndodhë. Evropa (dhe bota) tani janë të qeta, vetëm kur banori prominent i Shtëpisë së Bardhë lodhet duke nënshkruar dekrete dhe ia fut gjumë.
Për Evropën është sfidë e madhe tani që në bisedimet mbi Ukrainën evropianët duket se nuk do të luajnë rol qendror. Në tavolinën e madhe duan të jenë Trump dhe Putin. Siç nënvizoi një gazetë gjermane, shumë evropianë tani, pas 80 vjet miqësie me SHBA-të, e ndiejnë veten si skllevër të padobishëm. Me dekada të tëra evropianët kanë jetuar në iluzionin se sigurinë dhe mirëqenien e garantojnë përgjithmonë SHBA-të. Pas 80 vjet nën çadrën mbrojtëse amerikane, këtë fundjavë evropianët u zgjuan nga gjumi i thellë. Ka pasur edhe presidentë të tjerë amerikanë që kanë tentuar t’i zgjojnë evropianët nga gjumi (Barack Obama, Joe Biden). Donald Trump po e bën në mënyrën e tij.
Ka dy mënyra për të trajtuar këtë situatë: evropianët mund të tërhiqen në një qoshe dhe të vajtojnë. Ose të jenë të vetëdijshëm mbi fuqinë e tyre: në ekonominë globale Bashkimi Evropian është pothuajse i barabartë me SHBA-të dhe gati i barabartë me Kinën. Rrjedhimisht, duhet vënë në dispozicion shumë më tepër mjete për mbrojtje se deri më tani.
Tronditja dhe frika nuk duhet të shndërrohen në gjendje të përhershme në Evropë. Presidenti Trump ka një stil tjetër politik, na pëlqeu apo jo. Por siç e kemi parë në rastin kur i vendosi tarifa doganore Meksikës dhe Kanadasë, ai u tërhoq shpejt nga frika e kjo do të ketë pasoja në bursë dhe në përgjithësi në ekonominë amerikane.
Ajo çfarë pamë në Mynih gjatë fundjavës, është realpolitika në formën e saj të vrazhdë. Ka qenë ngaherë e qartë se me këtë nivel të përkrahjes nga bota perëndimore, Ukraina nuk ia del të kthejë gjithë territorin e saj. Këtë mes rreshtave e kanë thënë edhe politikanë evropianë. Trump dhe ekipi i tij po thonë disa gjëra të pakëndshme, por a janë ato krejtësisht të pavërteta? Jo.
Mbetet të shihet nëse tani do të funksionojë strategjia e Trumpit, i cili – para se të nisin negociatat me Rusinë – përmes ministrave të tij dërgon mesazhin se Ukraina nuk do të pranohet në NATO dhe nuk do të ekzistojë në kufijtë para vitit 2014. Domethënë: para se të nisin negociatat, Putin e di se çfarë do të fitojë. Një mësim nga e kaluara është ky: para se të hyni në negociata, ju nuk duhet të dorëzoni mjetet e presionit. Ose siç ka thënë presidenti Theodore Roosevelt: “Fol butë, por mbaje afër vetes një shkop të madh”.
Shkruan: Enver Robelli
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online