I huazuari tek Evertoni, Armando Broja, do të mungojë për 10-12 javë pasi ka dëmtuar ligamentin e kyçit të këmbës.
Trajneri i Evertonit, David Moyes, ka bërë të ditur se Broja mund të kthehet te klubi mëmë, Chelsea, shkaku i lëndimit.
23-vjeçari pësoi lëndim në ndeshjen e Evertonit në Kupën FA kundër Peterborough United më 9 janar.
Sulmuesi shqiptar, që hyri në fushë si zëvendësues, ndjeu dhimbje të mëdha dhe u largua me barelë dhe oksigjen.
Pas humbjes nga Aston Villa në Premier League të mërkurën, Moyesi ka sugjeruar se shkaku i mungesës së gjatë Broja mund të kthehet në Londër.
“Ne mendojmë se ai do të jetë jashtë për diku 10-12 javë. Janë ligamentet e kyçit të këmbës. Ndoshta do të thotë se ka mundësi që ai të kthehet në Chelsea”, ka thënë Moyes.
Broja iu bashkua Evertonit në formë huazimi nga Chelsea në verë, por nuk bëri debutimin deri më 4 dhjetor si pasojë e një dëmtimi.
Viteve të fundit, sulmuesi i Shqipërisë ka pasur vazhdimisht telashe me lëndime dhe assesi nuk ka arritur të tregojë kualitetet e tij.