Policia e Kosovës çdo ditë përballet me raste të ndryshme të cilat raportohen nga qytetarët, e ku në shumicën e rasteve ata përballen edhe me të dyshuarit të cilët kryejnë vepra të ndryshme penale.
Gjatë ditës së martë Policia e Kosovës bën të ditur se ka arrestuar 16 persona, shkruan SO.
Poashtu, në 24 orëshin e fundit policia njofton se 13 persona të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa një tjetër në vuajtje të dënimit.
Raporti i policisë përmbanë edhe arsyet e arrestimeve të personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
Policia e Kosovës në Prizren ka njoftuar se të martën ka arrestuar 6 persona të dyshuar për vrasjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri në një lokal nate në Prizren.
Rasti në fjalë është inicuar si vrasje e rëndë dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
“VRASJE E RËNDË /SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM
Prizren 03.01.2023-04:00. Është raportuar se, nga disa persona në një lokal ka pasur shkëmbim zjarri. Pas incidentit, tre nga të përfshirët në rast që ishin shtetas të Shqipërisë janë larguar me veturë në drejtim të Republikës së Shqipërisë. Pas kontaktit me autoritetet e Shqipërisë, është konfirmuar se njëri nga personat e përfshirë në incident ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër është i plagosur.
Lidhur me rastin janë arrestuar gjashtë të dyshuar meshkuj kosovar dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Me urdhër të prokurorit është kryer bastisje në lokalin ku ka ndodhur incidenti, dhe në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit lidhur me rastin, janë sekuestruar disa dëshmi. Po ashtu në afërsi të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja.
Njësitë e hetuesisë janë në koordinim me autoritetet e Shqipërisë për vazhdimin e ekzaminimeve e trupit të pajetë si dhe veturën e viktimës. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore.” thuhet në njoftimin e policisë.