Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka publikuar statistikat e bankave komerciale për muajin shkurt 2024.
Sipas BQK-së asetet e bankave komerciale në fund të muajit shkurt 2024 kanë arritur vlerën në 7.4 miliardë euro, duke shënuar rritje për 29.9 milionë euro, ose 0.4% krahasuar me muajin paraprak.
Investimet e bankave komerciale jashtë vendi, në formë të depozitave, letrave me vlerë dhe plasmanëve tjera, sipas BQK-së në fund të muajit shkurt 2024 kanë arritur vlerën në 1,2 miliardë euro, duke shënuar ulje për 36.6 milionë euro, ose 3% krahasuar me muajin paraprak.
Në njoftimin e BQK-së thuhet se kreditë bruto në fund të muajit shkurt kanë arritur vlerën në 4.95 miliardë euro, duke shënuar rritje për 60.4 milionë euro ose 1.2% krahasuar me muajin paraprak, ndërkohë që vlera e kredive të reja në muajin shkurt 2024 ishte 172.2 milionë euro.
“Depozitat e klientëve në shkurt 2024 kanë arritur vlerën prej 6.0 miliardë euro, duke shënuar rritje për 12.3 milionë euro, ose 0.2% krahasuar me muajin paraprak. Nga vlera e akumuluar e depozitave të klientëve rreth 26.6% janë të afatizuara. Sipas sektorëve, ekonomitë familjare dominojnë me rreth 67.5% të gjithsej vlerës së depozitave (rreth 4.1 miliardë euro). Vlera e depozitave të reja në muajin shkurt 2024 ishte 78.7 milionë euro”, thuhet në njoftim.
Raporti kredi-depozita në muajin shkurt 2024 ishte në nivelin 82.4%.
Gjithsej kapitali i bankave komerciale në fund të muajit shkurt 2024 sipas BQK-së arriti vlerën në 894.1 milionë euro. “Ndërsa, provizionet për kredi u zvogëluan për 0.4 milionë euro apo 0.3% krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën 144.5 milionë euro. Norma mesatare e interesit në depozita në muajin shkurt 2024 ishte 2.89% (në janar 2024 ka qenë 2.74%). Norma mesatare e interesit në kredi në muajin shkurt 2024 ishte 6.34% (në janar 2024 ka qenë 6.38%). Margjina e normës së interesit në kredi dhe depozita në muajin shkurt 2024 ishte 3.5% (në janar 2024 ka qenë 3.6%)”, thuhet në njoftimin e BQK-së.