Borxhi publik i Kosovës në fund të vitit 2021, ka arritur në 1 miliardë e 682 milionë e 890 mijë euro.
Në bazë të të dhënave të shpalosura në raportin vjetor auditues nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), e gjithë kjo shumë barazohet me 22 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV) të Kosovës..
Në raport me vitin e kaluar (2020), borxhi i përgjithshëm publik për vitin referues 2021, ka shënuar rritje prej 195 milionë e 200 eurove apo rreth 13% më shumë.
Sipas ZKA-së, prej shumës totale të borxhit, që ishte mbi 1 miliardë euro, 576 milionë e 750 mijë euro janë borxhe të jashtme (ndërkombëtare), kurse 1 miliardë e 106 mijë janë borxhe të brendshme.
Të dhënat në tabelë, të publikuara nga ZKA-ja, tregojnë se pjesa më e madhe e borxheve në masën prej 65.73% janë nga huamarrja e brendshme, ndërsa borxhet e ndërkombëtare marrin pjesë me 34.27% në totalin e borxhit të përgjithshëm.
Pra, në raport me vitin paraprak borxhi i përgjithshëm është rritur për 195,200,000 euro, me ç’rast borxhi ndërkombëtar është rritur për 50,950,000 euro, ndërkaq borxhi i brendshëm për 144,240,000 euro.
Gjatë analizave të kryera, ZKA konfirmon se gjatë vitit 2021 është identifikuar mosefikasitet në shfrytëzimin e fondeve të marra si hua të jashtme. Sipas tyre, ky mosefikasitet ishte kryesisht rezultat i problemeve me shpronësimet te projektet e infrastrukturës, ndarjeve buxhetore të paharmonizuara me dinamikën e projektit, vështirësitë në konsolidimin e njësive zbatuese të projekteve në procesin e rekrutimit dhe mbajtjes së stafit, futjes në buxhet të disa projekteve për të cilat marrëveshjet për kreditë nuk ishin ratifikuar në Kuvend si dhe efektet që ka shkaktuar pandemia Covid-19.
Ndërkohë, e gjithë portofolio e borxhit të përgjithshëm shtetëror/publik në fund të vitit 2021, është përbërë nga borxhi i brendshëm, ai ndërkombëtar, si dhe dy garanci shtetërore. Garancitë shtetërore, në këtë rast paraqesin detyrime të mundshme dhe ato bëhen borxhe faktike vetëm në rastet kur subjekti publik, dështon të paguajë obligimet kontraktuese të garantuara. Deri më tani, Republika e Kosovës nuk ka borxh komunal dhe as garanci komunale të emetuara, derisa, Qeveria, sipas ZKA-së, aktualisht ka garancione shtetërore në vlerë prej gjithsej 30 milionë e 630 mijë eurove.
Sipas Ligjit për Borxhet Publike nr.03/L-175, është përcaktuar që në asnjë rast shuma e kryegjësë e papaguar e borxhit të përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë dyzet për qind (40%) të BPV-së së një vendi. Sipas Auditorit të Përgjithshëm, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, për vitin 2021 ka respektuar në tërësi limitin e lejuar ligjor për marrjen e borxheve publike, ku në këtë vit borxhi i përgjithshëm në raport me BPV-në ishte 21.92%.
Ndryshe, Kosova ka filluar të marrë borxhe ndërkombëtare që nga viti 2009, ndërsa prej vitit 2012 ka filluar edhe me marrjen e borxhit të brendshëm përmes emetimit të letrave me vlerë.
Borxhi i brendshëm përkufizohet si borxh shtetëror i cili i nënshtrohet ligjeve të Republikës së Kosovës ndërsa borxhi ndërkombëtar si borxh shtetëror i nënshtrohet marrëveshjeve me qeveritë e huaja, agjencitë qeveritare, organizatat ndërkombëtare financiare apo organizata dhe kompani tjera të huaja në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, traktateve, konventave apo marrëveshjeve tjera të ngjashme të cilat i nënshtrohen ligjeve të një juridiksioni legal përveç atij të Republikës së Kosovës. /Buletini Ekonomik