Borrell mirëpret miratimin e Deklaratës lidhur me Personat e Zhdukur

0
162

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell ka thënë se e mirëpresin miratimin e Deklaratës lidhur me Personat e Zhdukur gjatë luftës në Kosovë, në takimin e sotëm Kosovë- Serbi në Bruksel.

Pas miratimit, Borell ka thënë se dy palët janë zotuar gjithashtu të bien dakord për detajet operacionale në takimin e ardhshëm të dialogut që pritet të mbahet në nivel të kryenegociatorëve.

“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ai është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve. BE-ja mirëpret miratimin e deklaratës nga palët dhe pret që palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të Personave të Zhdukur dhe në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse ndaj familjeve”, u tha në deklaratën e Borellit.

Ai ka shtuar se Komiteti i Përbashkët i Monitorimit i kryesuar nga BE-ja që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të Zbatimit të saj do të shqyrtojë rregullisht progresin e arritur edhe lidhur me këtë çështje.

Miratimi i kësaj deklarate ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Nga BE-ja thanë më herët se presin që palët “ta miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, si pikë e parë e rendit të ditës”, dhe që kjo të pasohet me “paraqitjen dhe diskutimet për draftin e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” në Kosovë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here