Bislimi: Pritet që BE-ja t’i heq masat ndaj Kosovës brenda disa ditësh

0
174

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe kreu i ekipit negociator në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se pritet që Bashkimi Evropian t’i heq masat ndëshkuese të vendosura ndaj palës kosovare, raporton Gazeta Sinjali.

Në një intervistë për mediumin serb Danas, Bislimi ka thënë se kjo pritet të ndodh për të krijuar barazinë mes palëve para takimit të nivelit të lartë mes kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili do të mbahet më 14 shtator në Bruksel.

“Në më pak se dy javë do të ketë një takim të ri të nivelit të lartë dhe pritet që BE-ja të sigurojë barazinë e palëve në dialog duke hequr masat ndëshkuese para këtij takimi”, ka thënë ai.

Sipas tij, dialogu me Serbinë duhet të fokusohet në dy shtylla kryesore, që janë zbatimi i marrëveshjes bazë dhe bisedimet për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

“Dialogu është shumëplanësh, por sipas mendimit tonë ai duhet të fokusohet në dy shtylla kryesore, konkretisht zbatimin e marrëveshjes bazë dhe bisedimet për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Kosova mbështeti marrëveshjen bazë dhe ofroi nënshkrimin e saj. Pala tjetër refuzoi nënshkrimin dhe po rikonfirmon çdo ditë qëndrimin se nuk e ka pranuar planin, por edhe po punon shumë për shkeljen e dispozitave të tij. Strategjia më e mirë për të penguar haptazi zbatimin e saj është përmes përshkallëzimit dhe Serbia është shumë e suksesshme në këtë. Serbia jo vetëm që e ka ridrejtuar dialogun e Brukselit nga normalizimi në menaxhimin e krizës, por ka arritur gjithashtu të promovojë BE-në nga një lehtësues në një negociator. Deklarata e BE-së e 3 qershorit, së bashku me masat e vendosura më pas e konfirmojnë këtë. Megjithatë, në më pak se dy javë do të ketë një takim të ri të nivelit të lartë dhe pritet që BE-ja të sigurojë barazinë e palëve në dialog duke hequr masat ndëshkuese para këtij takimi”, është shprehur Bislimi.

Bislimi për mediumin serb tha se Kosova dëshiron që situata në veri të Kosovës të jetë më e mirë dhe shtoi se institucionet kosovare duan të jenë më afër serbëve, por se Beogradi ndërhyn.

“Ne dëshirojmë që situata në veri të Kosovës të jetë më e mirë, por të paktën nuk ka tensione. Ne do të donim të jemi më afër qytetarëve tanë atje, por Beogradi i minon këto përpjekje dhe i pengon serbët e Kosovës të përdorin shërbimet dhe të gëzojnë të drejtat që u takojnë”, ka thënë ai.

Bislimi shtoi se ka qenë dhe është ende synimi i Serbisë që ta portretizojë Kosovën si një shtet të dështuar dhe institucionet e saj si të paafta, madje edhe të pavullnetshme për të integruar pakicën serbe, gjë për të cilën thotë që thjeshtë nuk është e vërtetë.

Ai akuzoi Serbinë se po i sakrifikon qytetarët serbë të Kosovës për të arritur këto qëllime.

“Në këtë drejtim, Serbia nuk përmbahet të sakrifikojë serbët e Kosovës në përpjekje për ta vërtetuar këtë. Vakumi i sigurisë dhe institucional i krijuar më 5 nëntor supozohej t’i shërbente këtij objektivi. Ne jemi të vetëdijshëm që kryetarët aktualë nuk gëzojnë legjitimitet të plotë, por kemi bërë çdo përpjekje të mundshme duke përfshirë shtyrjen e afatit të zgjedhjeve dhe më vonë edhe të afatit për regjistrimin e partive për të siguruar që përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë të garonin për këto zyra. Vakumi institucional nuk i shërben askujt. E njëjta gjë me policinë, një qytetar që ka nevojë për mbrojtje duhet të jetë në gjendje të thërrasë policinë për ndihmë. Kosova është shtet multietnik, në këtë drejtim, synimi ynë është të sigurojmë që anëtarët e komunitetit të integrohen institucionalisht. Ne jemi të vetëdijshëm se mungesa e policëve serbë nuk ngjall besim të mjaftueshëm dhe po bëjmë maksimumin për ta ndryshuar këtë, por kjo nuk mund të bëhet pa parandalimin e presionit dhe frikësimit të vazhdueshëm të Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës të cilët vendosin t’i bashkohen Policisë së Kosovës”, ka thënë më tej zëvendëskryeministri Bislimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here