Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është takuar dje në Bruksel me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Temë diskutimi në takimin mes tyre ishte përgatitja e mbajtjes së takimit në nivel të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq.
Bislimi ka thënë se Kosova mbetet konstruktive dhe insiston në sigurimin e barazisë së plotë të palëve në dialog.
“Bisedimet për procesin e dialogut sot para takimit të nivelit të lartë javën e ardhshme. Kosova mbetet konstruktiv dhe insiston në sigurimin e barazisë së plotë të palëve në dialog. Marrëveshja bazike duhet të zbatohet në tërësi dhe pa vonesë. Plani i renditjes së drejtë dhe i balancuar është thelbësor”, ka shkruar Bislimi në platformën “X”.
Për këtë takim ka shkruar dje edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Lajçak ka thënë se kanë pasur një diskutim të gjatë dhe thelbësor lidhur me përgatitjet për takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut që do të mbahet më 14 shtator në Bruksel, ku do të takohen Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në fund, Lajçak ka thënë se fokusi kryesor i tyre është si të avancohet në normalizimin e marrëdhënieve.