Presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, po i teston ndërkombëtarët me largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Biserko në një intervistë për “Danas” ka thënë se Vuçiqi ka aleatë si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë. Ndërsa ajo thotë se presidenti serb po vazhdon me manipulimet.
“Vuçiqi, siç e dini, ka disa muaj që ka ngritur tensionet dhe në mënyrë sistematike e ka akuzuar Kurtin. Vuçiqi ka aleatë edhe në Prishtinë edhe në Tiranë. Pos kësaj, Vuçiqi vazhdimisht përdor storien se si Gjermania e Britania e Madhe janë prapa çdo gjëje që bën Kurti, e se si SHBA-ja po e kupton Serbinë. Por, fakti është se SHBA-ja dhe BE-ja e mbështesin propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, tha Biserko. “Me largimin nga institucionet e Kosovës, Vuçiqi po e teston bashkësinë ndërkombëtare”.
Biserko ka thënë se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar së fundi tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit, dhe se Kosova është e barabartë aty.
“Mendoj se serbët do të kthehen në institucionet e Kosovës. Dhe komuniteti ndërkombëtar këmbëngulë për këtë. Kur të bjerë bota ruse, do të bjerë edhe ajo serbe, siç e ëndërron Beogradi”, tha Biserko.