Biserko: Rasti i Banjskës e ka hequr ndarjen e Kosovës nga tryeza

0
97

Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, ka folur për dialogun dhe rrugën e pajtimit mes Kosovës e Serbisë.

Biserko foli për vizitat e saj në Kosovë që nisin që nga vitet e ’90-ta dhe vazhdojnë edhe sot. Ajo vlerësoi se shoqëria kosovare ka ndryshuar pozitivisht dhe ndjehet e impresionuar nga të rinjtë.

Ajo foli për pozitën e minoritetit serb në Kosovë, ku sipas saj serbët në veri dhe në jug nuk janë në pozita të njëjta.

“Në veri serbët kontrollohen nga Beogradi dhe janë penguar të integrohen në institucionet e Kosovës, duke pasur të gjitha garancitë për të drejtat e tyre nga Kushtetuta e vendit” tha ajo në RTK.

Tutje ajo tërhoqi vëmendjen se institucionet e Kosovës duhet të kenë kujdes në qasjen ndaj minoritetit serb, ngase dikur ishin në pozitë dominuese e “tani nuk janë dhe që një kohë të gjatë kanë jetuar në një lloj vakumi”.

Ajo mes tjerash thotë se është përmendur edhe ndarja e Kosovës që është pritur një kohë të gjatë të ndodhte, por thekson se Kancelarja Merkel e ka ndalur këtë.

Dialogu sipas Biserkos nuk mund të thuhet se ka marrë një vijë, që nuk mund të vlerësohet se është arritur ndonjë progres.

“Tashmë po kthehet ne një rrugë të re, sidomos pas rastit të Banjskës që përfundimisht e ka hequr ndarjen e Kosovës nga tryeza e bisedimeve”, tha Biserko, derisa shtoi e Beogradi ka hequr dorë nga Kosova me vet faktin që është penguar pjesëmarrja në zgjedhje nga serbët e Kosovës. 

“Duke i nxjerrë nga institucionet e këtij vendi, duke ngelur në një komunitet të cenueshëm dhe për këtë institucionet e Kosovës duhet të kenë kujdes në qasjen ndaj tyre, sepse do të shkaktohej një traumë e madhe”, theksoi Biserko.

Biserko bëri të ditur se kohëve të fundit në Serbi po flitet se po ndërtohen banesa në Sanxhak për serbët e Kosovës dhe që Universiteti shtetëror i Mitrovicës po transferohet në Novi Pazar, si dhe dislokimi i qendrës shëndetësore atje.

Biserko tha se sheh shanse për pajtim mes të dy popujve, duke vënë theksin në aktivitetin e saj për këtë çështje, duke shtuar se ekzistojnë faktet dhe që duhet vendosur parametrat ku do të vendoseshin kornizat, përmes të cilave do të udhëhiqej ky proces.

Por ajo vuri në pah plagët e mëdha të popullit të Kosovës nga shteti serb gjatë shekujve, derisa serbët nuk anë kërkuar falje për të gjitha ato të bëma.

Ajo tha se minoriteti serb që dëshiron të jetojë në Kosovë, mund të jetojnë, duke theksuar se këtu ka ligje që krijojnë mundësi për integrim. Megjithatë Biserko thotë se nuk mjafton vetëm vullneti politik, por e gjithë shoqëria quhet të jetë më e qasshme në këtë.

Tutje Biserko ka kritikuar qasjen e BE-së në raport me dialogun mes Kosovës e Serbisë. Sipas saj Lajçak nuk ka qenë i suksesshëm pa ndihmën e përfaqësuesit amerikan, duke përmendur marrëveshjet e arritura ne Bruksel dhe në Ohër, por që nuk janë zbatuar.

Ajo tha se të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë kritikojnë  qasjen e ndërkombëtarëve karshi Serbisë.

Lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Biserko tha se bashkësia ndërkombëtare, që nga fillimi i luftërave ka zbatuar këtë idenë etnike, duke vënë në pah edhe Marrëveshjen e Dejtonit.

“Ajo që mua më bën të dyshoj në këtë zgjidhje, është se që nga fillimi, Beogradi e ka kërkuar Asociacionin si ndarje etnike, si një lloj statusi i një ‘Republika Srpska’ dhe fatkeqësisht nuk ka garancë që kjo nuk do të ndodhë, dhe bashkësia ndërkombëtare nuk ka bërë asgjë, as në Bosnje”, tha Biserko.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here