Shumë prindër janë të vetëdijshëm për çrregullimet mendore që lidhen me imazhin trupor, siç është anoreksia. Por ekspertët paralajmërojnë për një çrregullim më pak të njohur që po rritet, veçanërisht mes djemve: dismorfia muskulare, e njohur si “bigoreksia”.
Bigoreksia është një gjendje psikologjike që bën pjesë te çrregullimet dismorfike trupore. Personat e prekur janë të fiksuar pas idesë së të pasurit trup më muskulor dhe ndihen të pamjaftueshëm, edhe nëse kanë trup si të një kulturisti. Kjo sjell sjellje të dëmshme, si ushtrime të tepruara dhe dieta ekstreme.
Një studim i vitit 2019 tregoi se 22% e djemve adoleshentë kishin sjellje të çrregullta në përpjekje për t’u bërë me muskuj, duke përfshirë suplemente, ndryshime dietike dhe madje përdorim të steroideve.
Çrregullimet ushqimore te djemtë shpesh nuk njihen ose diagnostikohen siç duhet. Disa sjellje si ushtrimet intensive në palestër mund të duken të zakonshme, por në fakt mund të jenë shenja të një çrregullimi të thellë.
Rritja e bigoreksisë te të rinjtë ndikohet nga faktorë biologjikë, psikologjikë dhe shoqërorë. Historia familjare e çrregullimeve mendore, vetëvlerësimi i ulët, perfeksionizmi dhe ngjarjet traumatike si bullizmi janë faktorë rreziku. Sportistët, sidomos ata që e ndryshojnë trupin për pamje, janë në rrezik më të madh.
Sipas ekspertëve, një ndër faktorët kryesorë është ndikimi i rrjeteve sociale. Të rinjtë ekspozohen vazhdimisht ndaj trupave “të përsosur” të influencer-ëve dhe ndihen të detyruar të krahasohen me ta. Fotot e kuruara dhe të modifikuara krijojnë pritshmëri jorealiste dhe mund të çojnë në pakënaqësi trupore.
Komentet negative dhe presioni për të postuar imazhe të trupit shtojnë ndjenjat e turpit dhe vetëvlerësimit të ulët. Trajnerë, kuzhinierë personalë dhe regjim strikt, janë gjëra që yjet mund t’i përballojnë, por jo adoleshentët e zakonshëm.
Çfarë mund të bëjnë prindërit?
Prindërit mund të ndihmojnë duke kufizuar ekspozimin ndaj rrjeteve sociale, por më e rëndësishme është të flasin me fëmijët për atë që shohin dhe si e përjetojnë atë. Është thelbësore të promovojnë vlera përtej pamjes fizike: mirësinë, humorin, kreativitetin.
Duhet krijuar një hapësirë e sigurt për biseda të hapura. Prindërit duhet të jenë modele pozitive, të flasin me respekt për trupin dhe të shmangin komentet negative për pamjen fizike. Duhet theksuar larmia trupore si diçka normale dhe pozitive.
Nëse prindërit vërejnë sjellje të pazakonta si stërvitje të tepruara, dieta ekstreme ose obsesion me trupin, është e rëndësishme të veprojnë shpejt. Ndihma profesionale me ekip të specializuar është çelësi i trajtimit.
Nëse trajtohet herët, bigoreksia mund të menaxhohet me sukses. /Huff Post