Presidenti amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar Rusinë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të frikësohen nga kërcënimet e pamatura, pasi Vladimir Putin aneksoi katër rajone të pushtuara të Ukrainës.
“Amerika dhe aleatët e saj nuk do të frikësohen”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë, i cili më pas iu drejtua homologut rus direkt, duke e drejtuar gishtin kah kamera.
“Amerika është krejtësisht e përgatitur, me aleatët tanë të NATO-s, për të mbrojtur çdo milimetër të territorit të NATO-s. Z. Putin, mos keqkupto çfarë po them: çdo milimetër!”.
Presidenti rus kërcënoi me përdorimin e armëve bërthamore për të mbrojtur territoret e aneksuara. Ai tha se ato do të jenë ‘përgjithmonë’ pjesë e Rusisë, derisa Ukraina u zotua që do t’i çlirojë ato.
Për këtë çështje reagoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili aneksimin e quajti ‘përshkallëzimi më serioz qysh nga fillimi i luftës’, shkruan BBC.
Në fjalimin e tij në Moskë, lideri rus theksoi se qytetarët në Kherson, Zaporizhzhia, Luhansk dhe Donetsk kanë votuar të jenë ‘me njerëzit e tyre, me atdheun e tyre’.
Ai i referohej të ashtuquajturave referendume të mbajtura në këto katër rajone ditët e fundit, por Ukraina dhe qeveritë perëndimore i kanë vlerësuar ato si një mashtrim.