Kryetari i AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi, ka falënderuar Kryeprokurorin Petrit Kryeziu dhe Njësinë për Krime Ekonomike për reagimin e shpejtë pas denoncimit të tij më 29 prill lidhur me praktika të dyshuara të punësimit në këmbim të parave, raporton 04 Online.
Ai vlerësoi ndërhyrjen si një hap pozitiv drejt mbrojtjes së ligjshmërisë dhe meritokracisë në institucionet publike.
“E falënderoj Kryeprokurorin e Prizrenit, z. Petrit Kryeziu, dhe njesinë për krime ekonomike në prizren për reagimin e shpejtë dhe të përgjegjshëm ndaj postimit tim të datës 29.04.2025, që pasqyronte shqetësimin e qytetarëve lidhur me praktikat e dyshuara të punësimit në institucionet komunale në këmbim të një shume parash – një veprim që shkel rëndë mbi parimet e meritokracisë dhe drejtësisë sociale.
Ky reagim është sinjal i mirë se institucionet janë të gatshme të dëgjojnë zërin e qytetarit dhe të veprojnë në mbrojtje të ligjshmërisë. Shpresoj që ky rast të trajtohet me seriozitetin që i takon dhe të jetë një shembull që do t’i hapë rrugë ndershmërisë dhe konkurrencës së barabartë në sektorin publik.
Drejtësia nuk duhet të jetë selektive. Ajo duhet të mbrojë të drejtin, të ndëshkojë të padrejtin dhe të jetë themel mbi të cilin ndërtojmë një shtet të dinjitetshëm.”, thuhet në reagimin e Krasniqit./04 Online
