Pas përfundimit të muajit të Ramazanit, besimtarët e fesë islame kremtojnë sot festën e Fitër-Bajramit. Manifestimi qendror për Fitër Bajramin, për Republikën e Kosovës, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Namazi i Fitër Bajramit falet në orën 06:18, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, “Vedat ef. Sahiti. Hytben e Fitër Bajramit do ta mbajë nyftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.
Gjithashtu bëhet e ditur se me rastin e festës së Fitër Bajramit, ditën e parë, më 20 mars 2026, kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, uroi të enjten besimtarët myslimanë, në prag të festës së Fitër Bajramit.
Në mesazhin e tij të gjatë urues, myftiu Tërnava theksoi rëndësinë shpirtërore dhe morale të muajit të Ramazanit, duke kujtuar se agjërimi dhe lutjet i ndihmojnë besimtarët të pastrojnë zemrën, të forcojnë lidhjen me Zotin dhe të kultivojnë solidaritetin ndaj të tjerëve.
Ai theksoi se Fitër Bajrami nuk është vetëm festë gëzimi, por edhe manifestim i vlerave më të larta njerëzore dhe hyjnore, duke nxjerrë në pah rëndësinë e faljes, dashurisë dhe përgjegjësisë morale ndaj shoqërisë.
Festa e Bajramit, shtoi ai, vjen si apel për paqe dhe mirëkuptim, sidomos në këtë kohë kur bota po përballet me konflikte dhe tensione të shumta.
“Le të jetë kjo festë një burim gëzimi, paqeje dhe shprese për të gjithë ju dhe familjet tuaja”, tha pos tjerash Tërnava.
Festa e Fitër Bajramit pason muajin e Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit Islam, besimtarët agjërojnë për 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.













































