Besim Kelmendi caktohet ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit

0
232

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e 214-të, të enjten, me votim unanim ka caktuar prokurorin Besim Kelmendi, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas Rregullores Nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, në qoftë se mandati i Kryeprokurorit të prokurorisë përkatëse ka përfunduar në çfarëdo mënyre, KPK-ja merr vendim për caktimin e ushtruesit të detyrës.

Ndryshe, më 6 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) votoi unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë, kurse vendimi për dekretim tani mbetet në duart e presidentes Vjosa Osmani.

Ky proces ka shkaktuar reagime të shumta, ku koalicioni i OJQ-ve: IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin për emërimin e Isufajt si Kryeprokuror dhe se kanë propozuar që të përsëritet konkursi.

Ndaj këtij procesi kanë reaguar Ambasada Britanike, Ambasada Gjermane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyer me këtë proces, transmeton Betimipërdrejtës..

Ndërsa, gjatë të enjtes, presidentja Osmani ka pritur në takim përfaqësuesit e shoqërisë civile, për të diskutuar rreth këtij procesi.

Kujtojmë se Aleksandër Lumezi sot (21 prill) përfundon mandatin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, pozitë të cilën e kishte marrë më 21 prill 2015.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here