Zafir Berisha, kandidat për kryetar të Prizrenit nga Bashkimi Demokratik, ka theksuar se qyteti ka nevojë për ndryshim të vërtetë dhe për një qeverisje që i kthen dinjitetin qytetarëve, shkruan 04 Online.
Berisha ka thënë se Prizreni është lodhur nga premtimet boshe dhe nga udhëheqësit që kujtohen për qytetarët vetëm gjatë fushatave zgjedhore.
“Jemi vetëm disa ditë larg një vendimi që mund ta ndryshojë Prizrenin për të mirë. Kemi dëgjuar hallet e qytetarëve dhe kemi ndërtuar një plan realist për të ardhmen,” – tha Berisha.
Ai shtoi se plani i Bashkimit Demokratik nuk bazohet në premtime joreale, por në punë të ndershme, transparencë dhe përfaqësim të sinqertë të qytetarëve.
“Nuk premtojmë mrekulli – premtojmë përkushtim dhe zë të fuqishëm për secilin prej jush. Një votë për ne është një votë për një qytet që i kthen dinjitetin qytetarit,” – theksoi ai.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve që më 12 tetor të votojnë për ndryshimin që Prizreni e meriton, duke theksuar se bashkë mund ta kthejnë besimin në institucione dhe në të ardhmen e qytetit.