Augsburgu është në kërkim të një futbollisti për ta përforcuar fazën sulmuese, ndërsa në krye të listës është Mërgim Berisha, që më parë ka luajtur te kjo skuadër.
“Sky Sport” i Gjermanisë ka raportuar të premten se Augsburgu e mendon rikthimin e 26-vjeçarit në formë huazimi, me të drejtë blerjeje në fund të edicionit.
Augsburgu ka nisur tashmë bisedimet për të.
Do të ishte rikthim për Berishën tek Augsburgu, skuadër me të cilën në edicionin 2022/2023, kishte shënuar nëntë gola e kishte dhuruar katër asistime.
Për Berishën interesim kanë shprehur edhe Torino dhe Werder Bremeni.
Berisha është zhvilluar si futbollist te Salzburgu austriak, ndërsa karrierë ka bërë edhe te LASK-u, Magdeburgu, Altachu e Fenerbahçe.
Nga Augsburgu në gusht të vitit 2023, ai ishte transferuar te Hoffenheimi për 14 milionë euro.
Tek Augsburgu prej vitit 2022 luan edhe mesfushori i Kosovës, Elvis Rexhbeçaj.
Berisha ka luajtur për U21 të Gjermanisë në 13 ndeshje, ndërsa për ekipin senior të Gjermanisë ka dy paraqitje në miqësore.