Zafir Berisha, kandidat për kryetar të Prizrenit nga Bashkimi Demokratik, ka zhvilluar një takim me qytetarë nga Zhuri dhe fshatrat përreth, bashkë me kandidatët për Kuvendin Komunal të Prizrenit, Bujar Pula, Ramadan Tarashaj, Liridona Kurtaj-Veçgishti, Anila Kurtaj-Ponik, Adelina Berisha-Sope dhe Blerta Islamaj, shkruan 04 Online.
Në këtë takim, Berisha theksoi rëndësinë e punës, dinjitetit dhe drejtësisë si vlera që duhet të udhëheqin zhvillimin e komunës.
Duke folur për rajonin e Lumës, Berisha tha: “Zhuri dhe rajoni Lumës është shembulli se si duhet të zhvillohet e gjithë komuna Prizrenit, me punë, jo fjalë. Me punë, me dinjitet, me drejtësi, një vend që ka dhënë shumë për Prizrenin, por ka marrë pak. E tani ka ardhur koha që fjala, përfaqësimi dhe zhvillimi të ecin në të njëjtin drejtim. Nga ky vend i punës, i dijes, i njerëzve të ndershëm që e duan Prizrenin dhe Kosovën.”
Ai shtoi se Zhuri nuk është vetëm një fshat i madh, por “zemra e Prizrenit”, dhe se ka ardhur koha që kjo zemër të marrë atë që i takon, rrugë të mira, shëndetësi funksionale, mbështetje për bujqësinë dhe rininë, si dhe një ambient të pastër, pa deponi të mbeturinave që nuk menaxhohen mirë.
“Jam në garë zgjedhore sepse kam vendosur të mos rri duarkryq dhe të mos bëhem pjesë e heshtjes që i mban mashtruesit dhe rrencat në pushtet, ndërsa qytetarët në pritje! Me ne, Zhuri nuk do të jetë më në fund të listës, do të jetë në qendër të vëmendjes,”, theksoi Berisha.
Me ne, Zhuri nuk do të jetë më në fund të listësë, do të jetë në qendër të vëmendjes