Kandidati për deputet i koalicionit “Për Kosovën Fituese”, Zafir Berisha ka zhvilluar sot një takim me kryesinë e Bashkësisë Islame në Prizren. Gjatë takimit, ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së vlerave tradicionale dhe familjare si bazë e shoqërisë dhe shtetit.
Në deklaratën e tij, kandidati siguroi kryesinë e Bashkësisë Islame se do të angazhohet që ligje të tilla si ato për martesat e të njëjtës gjini dhe nisma që, sipas tij, dëmtojnë strukturën tradicionale të familjes, nuk do të miratohen në Kuvendin e Kosovës gjatë mandatit të tij si deputet.
Me këtë rast, kryetari i Bashkësisë Islame të Prizrenit, Valon ef. Ibrahimi, i dhuroi kandidatit librin “Imamët dëshmorë-shehidë,” ndërsa Berisha i dhuroi punimin artistik prej druri me mesazhin “Liria ka emër.”
Berisha shprehu mirënjohje për pritjen e ngrohtë dhe angazhimin e përbashkët për të kontribuar në të mirën e shoqërisë.
Postimi i plotë i Berishës:
Sot, si kandidat i kualicionit për Kosovën Fituese me nr 137, u takova me kryesin e Bashkësis Islame në Prizren.
Ruajtja e vlerave të familjes si bëthama e shtetit, është obligim njerëzor, kombëtar e fetar, prandaj garantova B.I në Prizren se ligji për martesa të të njejtës gjini dhe ligje tjera që dëmtojne familjen tonë tradicionale, nuk do të kalojnë sa të jemi ne deputet në Kuvendin e Kosovës!
Së bashku ja dalim!
Ishte nderë i veçant të pranoj nga kryetari i BI Valon Ibrahimi librin “Imamët dëshmorë-shehidë” ndërsa unë i dhurova punimin nga druri LIRIA KA EMËR!