Vendimi i djeshëm i UEFA-s nuk ishte aspak i favorshëm për Kosovën, e cila e humbi me rezultat zyrtar ndeshjen e ndërprerë me Rumaninë, 0:3.
E pas këtij vendimi, i cili erdhi pas largimit nga fusha të lojtarëve Dardanë shkaku i fyerjeve raciste në minutat shtesë të lojës, përmes një postimi ka reagua futbollisti Valon Berisha, shkruan “Gazeta Express”.
Përkundër faktit se ekipi i tij e humbi lojën në tavolinë, mesfushori luftarak ua kujton të gjithëve se lojtarët e Kosovës luajnë me fanatizëm për vendin e tyre dhe se nuk lejojnë që të fyhet populli i Kosovës, pa marrë parasysh nëse duhet ta sakrifikojnë edhe rezultatin e lojës.
“Ji krenar me atë që je dhe prej nga vjen. Kosova”, shkroi Berisha.
Lojtarët e Kosovës nuk pranuan të ktheheshin në fushë pasi kapiten Rrahmani e kishte paralajmëruar referin gjatë lojës dy herë për fyerje raciste, ndërsa ekipi vendosi të tërhiqej nga fusha dhe të mos kthehej më.
Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se do të ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ndaj vendimit të UEFA-s.