Ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Prizrenit, Zafir Berisha, ka reaguar pas dëshmisë së gjeneralit Wesley Clark, duke thënë se kjo konfirmon atë që ka qenë e ditur prej kohësh, se Serbia ka vazhduar të operojë në Kosovë edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës më 9 qershor 1999.
Sipas Berishës, strukturat serbe, të ndihmuara nga Rusia dhe në raste të caktuara nga Franca, vazhduan aktivitetet e tyre sidomos në veri të Kosovës. Ai thotë se situata pas hyrjes së forcave të NATO-s më 12 qershor 1999 ka qenë kaotike dhe e mbushur me veprime të fshehta të shërbimeve serbe.
Reagimi i plotë i Zafir Berishës
Analfabetët dhe trushpërlarët që ranë viktima të propagandës serbe kundër UÇK-së, besoj se me dëshminë e gjeneralit Clark po e kuptojnë atë që disa prej nesh e kemi ditur prej kohësh: se Serbia, edhe pas nënshkrimit të kapitullimit më 9 qershor 1999 në Kumanovë, ka vazhduar të operojë në Kosovë me njësitë e veta, sidomos në pjesën veriore, me ndihmën e rusëve dhe në raste të caktuar edhe me francezët.
Se gjendja ka qenë kaotike në Kosovë pas 12 qershorit 1999, e dinë mirë ata që e kanë përjetuar dhe e konfirmojnë edhe faktet e shkruara të kohës.
Kur u arrestuan disa nga spiunët e Serbisë në Kosovë, shumë njerëz u befasuan: “Si ka mundësi të ndodhë kjo?!”
Por e kanë iden Serbia nuk ka hequr dorë aq lehtë nga Kosova, dhe veprimet e saj të përditshme e dëshmojnë këtë.
Dhjetëra luftëtarë dhe udhëheqës të UÇK-së ranë në prita të forcave serbe gjatë luftës si rezultat i bashkëpunëtorëve-spiunëve, për ta thënë më shqip, të cilët nuk janë ndalur së punuari për Serbinë as sot e kësaj dite.
Qindra luftëtarë dhe veprimtarë politikë u vranë pas luftës në Kosovë, dhe e vërteta për këto vrasje nuk është zbardhur kurrë.
Injorantët dhe maskarenjtë e shoqërisë tonë i përdorën këto vrasje për përfitime politike, duke amnistuar Serbinë, e cila sipas meje, qëndron prapa shumicës dërrmuese të tyre përmes shërbimeve të veta sekrete.
Prokurorët si italiani Salustro në UNMIK dhe EULEX u morën më shumë me mbetjet e ndikimit serb në Kosovë, disa prej të cilëve ishin futur nën ombrellën e ndërkombëtarëve.
Ata kurdisën dhe sajuan procese gjyqësore kundër luftëtarëve të UÇK-së, procese që u përdorën nga politikanë të pandërgjegjshëm për përfitime personale.
E vërteta mund të shtrembërohet, por ajo mbetet e vërtetë, edhe kur nuk u pëlqen të gjithëve.














































