Kandidati për kryetar të Prizrenit nga Bashkimi Demokratik, Zafir Berisha, ka zhvilluar takim me qytetarë të rajonit të Hasit në fshatin Romajë, së bashku me bartësin e listës Shukri Quni dhe kandidatët për Kuvend Komunal Nebi Dura, Qazim Çoçaj, Lezer Kajtazi dhe Enver Ramadani, shkruan 04 Online.
“Bashkë me Hasin, për të mirën e Prizrenit!
Sot, bashkë me bartësin e listës Shukri Quni dhe kandidatët e Bashkimit Demokratik për Kuvend të Prizrenit, Nebi Dura, Qazim Çoça, Lezer Kajtazi e Enver Ramadani në fshatin Romajë takuam qytetar nga Rajoni i Hasit.
Një nga prioritetet e mia për rajonin e Hasit do të jetë përmirësimi i infrastrukturës, duke lidhur përmes një ure Hasin me Anadrinin për me i dhën qasje më lehtë hasjanëve në pronat e tyre matan lumit Drini i Bardhë.
Do të krijojmë mundësi për fermerët dhe blegtorët që të zhvillojnë bizneset e tyre, me mbështetje financiare dhe trajnime si dhe për t’u mundësuar që të rrisin prodhimin dhe të përmirësojnë kushtejet e jetesës.
E di që rinia është shpresa për të ardhmen e Hasit. Unë do të investoj në mundësi arsimore dhe trajnime profesionale, për të siguruar që të rinjtë të kenë mundësi për t’u punësuar dhe zhvilluar karrierë në vendin e tyre.
Në Has duhet të mbrojmë traditat tona dhe ta zhvillojmë turizmin kulturor, që të tërheqim vizitorë dhe të rrisim mundësitë për punësim për banorët e Hasit.”
Berisha theksoi se zhvillimi i Hasit do të jetë ndër prioritetet e tij si pjesë e vizionit për një Prizren të balancuar në zhvillim, me investime të shpërndara në çdo rajon të komunës.