Bellingham lidhet me një ‘lëvizje’ larg Realit, mes prishjes së raporteve me Alonson

0
59

Ylli i Real Madrid, Jude Bellingham, është lidhur me një marrëveshje të mundshme shkëmbimi pas raportimeve për fërkime mes mesfushorit dhe trajnerit Xabi Alonso.

Ka qenë një fillim i vështirë sezoni për Bellingham, i cili humbi javët e para të fushatës ndërsa shërohej nga një operacion në shpatull.

Që nga kthimi në fushë në shtator, ai ka nisur shtatë ndeshje, ka shënuar tre gola, por ka pasur vështirësi të përsërisë formën që e bëri njërin nga lojtarët më të mirë në Spanjë sezonin e kaluar.

Bellingham iu bashkua Real Madrid për një shumë fillestare prej 88.5 milionë paund në verën e vitit 2023, duke kaluar dy vitet e para nën drejtimin e Carlo Ancelottit.

Trajneri italian e përdori kryesisht në një rol të avancuar, teksa Bellingham shënoi 38 gola gjatë dy sezonëve të tij të para në Spanjë.

Megjithatë, Alonso, i cili mori drejtimin e Real Madrid gjatë verës, ka preferuar ta luajë mesfushorin pak më të thellë.

Pas një fillimi të fortë sezoni, gjigantët spanjollë kanë hasur vështirësi javët e fundit, duke barazuar tre ndeshjet e fundit të La Liga-s dhe duke i lënë vendin e parë Barcelonës.
Mes këtij momenti të dobët, media spanjolle Mundo Deportivo raportoi se ka fërkime mes Alonsos dhe Bellingham.

Por këto raportime u mohuan shpejt nga Alonso para ndeshjes së fundjavës së kaluar kundër Gironës.

“Aspak,” u shpreh ai.

“Kam komunikim të shkëlqyer dhe një marrëdhënie shumë të mirë me Jude. Ai është një lojtar i klasit botëror; ka vullnetin për t’u përmirësuar, për të mësuar dhe për t’u bërë më efikas me potencialin e madh që ka. Më pëlqejnë lojtarët që janë kuriozë dhe mjaft proaktivë për të ardhur e për të pyetur se çfarë mund të bëjmë më mirë. Ai përshtatet me profile dhe pozicione të ndryshme sepse është shumë i kompletuar, dhe ne gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm për atë që ndodh rreth tij”, shtoi ai.

Pavarësisht këmbënguljes së Alonsos se ai është i kënaqur me Bellingham, “Defensa” raportoi se Liverpool ka bërë një qasje për mesfushorin.

“The Reds”, të cilët tentuan ta transferonin Bellingham në vitin 2023 para kalimit të tij te Madridi, thuhet se e shohin këtë si një mundësi për ta sjellë anglezin në “Anfield”.
Raporti pretendon gjithashtu se Liverpool do të ishte i gatshëm të ofronte fituesin e Kupës së Botës, Alexis Mac Allister, si pjesë të një marrëveshjeje të mundshme shkëmbimi.

Megjithatë, si Bellingham ashtu edhe Real Madrid janë të vendosur që mesfushori të mbetet në Spanjë.

Duke folur për “Marca” më herët këtë vit, Bellingham shpjegoi se Real Madrid ishte “klubi perfekt” dhe tha se dëshiron të qëndrojë aty për 10 deri në 15 vitet e ardhshme.

Ndërkohë, Mac Allister është një nga disa lojtarët e Liverpool që kanë hasur vështirësi këtë sezon pas triumfit në Premierligë sezonin e kaluar.

Argjentinasi pati probleme me lëndime gjatë verës dhe e nisi sezonin pa formën e duhur fizike.

Ai luajti 90 minutat e plota në fitoren 2-0 të së dielës kundër West Ham United – hera e parë që ka kompletuar tre ndeshje të plota radhazi që prej prillit./Express

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here