Bekim Kovaçi i SHAM Prizreni D&G e ka mbyllur në mënyrën më të mirë kampionatin e sivjetmë.
Ai ka fituar në garën e katërt në disiplinën auto sllallom, e mbajtur pikërisht në qytetin e tij, Prizren.
Kovaçi me Honda Civic deri te fitorja ka arritur me kohë 02:48.095 minuta (01:24.618 dhe 01:23.477).
“Jam shumë i kënaqur me rezultatin e arritur. Isha përgatitur për këtë garë. Pati garues me shumë përvojë e shumë të suksesshëm e po ashtu edhe vetura të mira. Gjithsesi, sot gjithçka shkoi mirë dhe ia dola të triumfoj në konkurrencë mjaft të fortë”, ka thënë Kovaçi pas fitores, i lumtur edhe që ky sukses u arrit para dashamirëve prizrenas të automobilizmit.
Në pozitën e dytë u rendit anëtari i AK Drenica, Valdrin Krasniqi, i cili me Opel Astra pati kohë 02:52.290 minuta (01:26.669 dhe 01:25.621).
Në podium u gjend Kushtrim Bytyçi i AK Ferizajt.
Koha e tij me Renault Clio ishte 02:54.201 minuta (01:27.811 dhe 01:26.390).
Në konkurrencën ekipore, e para u rendit Prishtina RT me 55 pikë, pasuar nga Prizreni D&G (52), AK Ferizaj (47), AMTKK (47) dhe AK Drenica me 45 pikë.
Gara ishte e vlefshme për FIA CEZ, morën pesë 27 garues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Rumania. /Gazeta Express/