Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka prezantuar përbërjen e re të Kolegjit të komisionerëve, që i bie Qeveria e re e Bashkimit Evropian, që për momentin ka 27 vende anëtare.
Një ndër emërimet më të befasishme është personi që do të jetë në krye të zgjerimit të BE-së, e nominuara për këtë post është diplomatja nga Sllovenia, Marta Kos, njofton Klankosova.
“Duhet të theksohet se Marta Kos, është propozuar nga Qeveria sllovene, si anëtare e Kolegjit të komisionerëve. Procedura e nominimit që përfshin konsultim të parlamentit të Sllovenisë, për një opinion jo obligativ është duke vazhduar. Ajo (Kos), do të jetë komisionere e zgjerimit po ashtu përgjegjëse për fqinjësinë lindore dhe ajo do punojë për të mbështetur Ukrainën dhe vazhdimin e punës në rindërtim dhe të mbështes vendet kandidate që të bëhen gati për hyrjen e tyre (në Bashkim Evropian)”, tha kryetarja e KE-së, Von Der Leyen.
Nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, është vetëm Republika e Kosovës, që nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Aplikimi për këtë ishte bërë në dhjetor të 2022-s, por Brukseli nuk ka bërë deri tani asnjë hap drejt dhëniës së këtij statusi.
Ndryshe, shefe e re e diplomacisë evropiane do të jetë Kaja Kallas, ish-kryeministre e Estonisë. Kallas, do ta zëvendësojë spanjollin, Josep Borrell, që mbajti këtë post nga viti 2019, njofton Klankosova.