Bashkimi Evropian ka disbursuar fondet e para për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ndërsa Kosova nuk ka përfituar ende asnjë shumë për shkak të mungesës së ratifikimit të marrëveshjes për kredi me BE-në, shkruan Gazeta Sinjali.
Shqipëria ka përfituar mbi 64.5 milionë euro, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë marrë pjesë të fondit që nga marsi dhe maji i këtij viti. Ndërkohë, Serbisë i janë ndarë 51.7 milionë euro në formë kredie të butë, si dhe 59 milionë euro të tjera në grante dhe kredi përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Kosova do të përfitojë gjithsej rreth 882 milionë euro deri në vitin 2027 – më së shumti për kokë banori në rajon – por mungesa e një Kuvendi funksional ka pamundësuar ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare, që kërkon dy të tretat e votave të deputetëve. Për pasojë, as pagesa e parë prej rreth 61 milionë eurosh nuk është bërë.
Plani i Rritjes përfshin rreth 30 reforma dhe 100 aktivitete në fusha kyçe si tranzicioni energjetik dhe digjital, zhvillimi i sektorit privat, sundimi i ligjit dhe kapitali njerëzor. Ndihma do të ndahet dy herë në vit, por do të varet nga përmbushja e kushteve dhe angazhimi i palëve në dialogun për normalizim.