Të enjten u mbajt samiti i liderëve të Bashkimit Evropian, ndërkaq përveç zhvillimeve në Ukrainë është diskutuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi, gjersa Këshilli Evropian ka dalë me tri konkluzione në këtë drejtim.
Në këto konkluzione thuhet se Plani evropian është një shans historik dhe se duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët.
Në dokumentin e publikuar me konkluzione thuhet se në kohën e tensioneve të fundit në veri të Kosovës, Këshilli Evropian nënvizon nevojën urgjente për përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Këshilli Evropian mirëpret propozimin e fundit evropian për të vendosur marrëdhëniet midis të dyja palëve në një bazë të re dhe të qëndrueshme si një shans historik që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët, duke përfshirë edhe realizimin e perspektivës së tyre evropiane”, thuhet në konkluzionin e dytë.
Këshilli Evropian u kërkon të dyja palëve që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte detyrimet për të cilat janë zotuar në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.
Në dokumentin e dalë nga samiti përveç çështjes së Ukrainës dhe dialogut për Kosovën, shkruhet edhe për çështjet ekonomike, migrimin, kontrollin në kufijtë e BE-së, tërmetin në Turqi e Siri, etj.
Ndryshe, para se të mbahet samiti, përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se së shpejti do t’i ftojë në një takim në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Propozimi (plani evropian) është në tavolinë. Do t’i ftojë të dy liderët të vijnë në Bruksel së shpejti….për të shtyrë para këtë propozim”, ka thënë ai.
Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së tha se është koha për punë konstruktive pasi periudhën e fundit “është shkuar nga kriza në krizë”.
“Do t’u kërkoj që të punojnë seriozisht në këtë propozim që është mënyra e vetme për të provuar për të zgjidhur dhe normalizuar marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë… Kemi kaluar nga kriza në krizë dhe tani është koha për deskalim dhe të punojmë në mënyrë konstruktive”, ishte shprehur Borrell.