Pas letrës që disa organizata të shoqërisë civile në Kosovë i kanë dërguar Bashkimit Evropian me kërkesën për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat janë vendosur si përgjigje ndaj tensioneve në veri të vendit në vitin 2023, ka ardhur edhe reagimi zyrtar nga BE-ja.
Zëdhënësja i BE-së, Anitta Hipper në një përgjigje për Telegrafin ka konfirmuar se institucioni është në dijeni të kësaj letre dhe është duke e shqyrtuar atë.
“Ne jemi në dijeni të letrës së organizatave të shoqërisë civile dhe jemi duke e shqyrtuar atë”, ka theksuar Hipper.
Bashkimi Evropian ka përshëndetur zhvillimin paqësor të rundit të parë të zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore, të cilat janë mbajtur me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve.
“Ne mirëpresim raundin e parë të zgjedhjeve lokale që u zhvillua në mënyrë paqësore, konkurruese dhe gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve”, tha më jet zëdhënësja e BE-së.
Sipas BE-së, këto zgjedhje përbëjnë një “sinjal të rëndësishëm të de-përshkallëzimit në veri”, i cili do të merret parasysh gjatë shqyrtimit të mëtejmë për heqjen e masave ndaj Kosovës.
“Kjo përbën një sinjal të rëndësishëm të de-përshkallëzimit në veri, i cili do të merret parasysh në kontekstin e heqjes së mëtejshme të masave”, theksoi Hipper.
BE-ja gjithashtu ka theksuar se pret që raundi i dytë i zgjedhjeve të zhvillohet në të njëjtën mënyrë dhe nënvizoi rëndësinë e një kalimi të rregullt të qeverisjes lokale.
“Ne presim që raundi i dytë i zgjedhjeve të mbahet në të njëjtën mënyrë dhe presim një tranzicion të rregullt të qeverisjes lokale,” thuhet më tej në përgjigjen e saj për Telegrafin.
Shoqëria civile përmes letrës dërguar BE-së ka bërë thirrje që të heqë masat e vendosura ndaj Kosovës, duke argumentuar se vendi ka treguar përkushtim ndaj normalizimit të situatës në veri dhe se progresi i arritur duhet të njihet dhe mbështetet.
BE-ja e ndëshkoi Kosovën në qershor të vitit 2023, për shkak të, siç vlerësoi, rolit të Qeverisë së Kosovës në nxitjen e tensioneve etnike në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe.
Në maj të këtij viti, kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas njoftoi në vizitën e saj të parë në Kosovë se kishte filluar heqja graduale e masave.
Këto masa ndëshkuese i kanë kushtuar Kosovës rreth 615 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra në afat të pacaktuar, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur pasi janë tejkaluar afatet e lejuara, sipas një raporti nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP.
Udhëheqësit e Kosovës i kanë bërë vazhdimisht thirrje BE-së t’ia heqë masat vendit të tyre, përfshirë gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Prishtinë ditë më parë. /Telegrafi/