BE-ja shqyrton mundësinë e anëtarësimit të shteteve të reja, pa të drejta të plota vendimmarrëse

0
81

Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë që shtetet e ardhshme anëtare të mund të bashkohen me bllokun pa të drejtën e plotë për vendimmarrje, përfshirë edhe të drejtën e vetos, me qëllim përshpejtimin e procesit të zgjerimit, raportojnë burime diplomatike për Politico në Bruksel.

Ky propozim, ende në faza të hershme dhe që kërkon miratim unanim nga të gjitha 27 shtetet anëtare, do t’u mundësonte shteteve të reja të përfitojnë shumicën e përfitimeve të anëtarësimit, ndërsa të drejtat e plota do t’i merrnin më vonë, pasi BE-ja të realizojë reforma kyçe institucionale, përfshirë edhe heqjen e vendimmarrjes unanime në shumicën e çështjeve.

Sipas këtij propozimi, shtetet kandidate mund të bëhen anëtare nën kushte më fleksibile, pa pasur nevojë për ndryshime në traktatet themeluese të BE-së, shpjegojnë burime për portalin në Bruksel.

Mbështetësit e zgjerimit, përfshirë Austrinë dhe Suedinë, synojnë që ta përdorin këtë iniciativë për të kapërcyer bllokadën që, sipas tyre, vjen nga Budapesti dhe disa kryeqytete të tjera, të cilat shqetësohen për humbjen e tregjeve ose kërcënimin e sigurisë kombëtare.

“Shtetet e ardhshme duhet të heqin dorë nga e drejta e vetos deri sa të realizohen ndryshime reformuese, siç është futja e shumicës së kualifikuar në vendimmarrje. Nuk duhet të lejojmë që një vend anëtar të pengojë procesin e zgjerimit”, tha Anton Hofrajter, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane në Bundestagun gjerman.

Më parë, rregulli ishte se zgjerimi nuk mund të ndodhte pa një reformë të gjerë institucionale.

Megjithatë, përpjekjet për heqjen e së drejtës së vetos për shtetet ekzistuese kanë hasur rezistencë, jo vetëm nga Hungaria, por edhe nga Franca dhe Holanda.

Hofrajter thekson se ky qasje do t’i mundësonte Unionit të qëndrojë funksional edhe në format të zgjeruar.

“Bisedimet me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor tregojnë se ata e shohin këtë ide si konstruktive dhe realiste”, shtoi ai.

Sipas Politico, ky propozim vjen në një kohë kur vendet kandidate janë të frustruara, pasi kanë realizuar reforma të rëndësishme të brendshme, por ende përballen me pengesa në procesin e aderimit.

“Kroacia u bë anëtare më shumë se dhjetë vjet më parë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar e ka lënë Bashkimin. Prandaj besoj se është koha për të rilindur këtë proces,” tha presidenti malazez, Jakov Milatoviq, për Politico.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e vendosi zgjerimin në qendër të agjendës së saj, duke paralajmëruar mundësinë e aderimit të Ukrainës dhe Moldavisë deri në vitin 2030, por deri tani shtetet e BE-së refuzojnë të përshpejtojnë procedurat.

Përpjekja e mëparshme e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, për të përshpejtuar zgjerimin u refuzua nga disa shtete anëtare, kujton Politico.

Më mërkurë në Londër do të mbahet një samit si pjesë e “Procesit të Berlinit”, ku liderët e BE-së do të diskutojnë për integrimin e mëtejshëm të rajonit me përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor.

Sipas burimeve të BE-së, Komisioni mund të propozojë vazhdimin e negociatave me kandidatët edhe pa miratimin formal të të gjitha shteteve për çdo hap, duke shmangur mundësinë e vetos, veçanërisht nga Budapesti.

Në draft-përfundimet për samitin e liderëve të BE-së në Bruksel të enjten, zgjerimi as nuk u përmend, gjë që shkaktoi pakënaqësi tek vendet që e mbështesin procesin.

“Nëse BE-ja nuk përshpejton reformat dhe zgjerimin, rrezikon të humbasë avantazhin strategjik në favor të palëve të treta që tashmë presin mundësinë e tyre”, tha Claudia Plakolm, ministre për Çështje Evropiane e Austrisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here