Bashkimi Evropian ka përshëndetur faktin që zgjedhjet parlamentare në Kosovë u zhvilluan në një atmosferë të qetë, në të cilën qytetarët kanë pasur mundësi të shprehin vullnetin e tyre.
Kështu tha zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Anitta Hipper, kur u përgjigj në pyetjet lidhur me reagimin e bllokut për zgjedhjet në Kosovë dhe pritjet pas mbajtjes së tyre.
Hipper tha se në Kosovë është vendosur misioni vëzhgues i BE-së për zgjedhjet që është formuar me vendimin e shefes së diplomacisë, Kaja Kallas.
Vendimi për dërgimin e këtij misioni për të vëzhguar zgjedhjet në Kosovë nga Hipper u përmend si dëshmi se BE-ja i sheh raportet me Kosovën si shumë të rëndësishme.
Përveç vëzhguesve nga BE-ja, zgjedhjet u monitoruan edhe nga vëzhguesit vendorë, që thanë se ato kaluan pa incidente serioze, por me disa parregullsi.