Basketbollistët e Kosovës, pas fitores ndaj Zvicrës, sonte vazhdojnë stërvitjet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Përgatitjet në Prizren do të vazhdojnë deri më 5 gusht, kur do të përballen me Danimarkën.
Kjo është sfida e fundit në Rrethin e Tretë Parakualifikues, ku do të mësohet se kush do të depërtojë më tutje.
Ndeshja me Danimarkën cilësohet si finale, ndërsa FBK ka ftuar gjithë adhuruesit e basketbollit të përkrahin lojtarët e Kosovës, pasi është një nga takimet më të rëndësishme në vitet e fundit.
Përballja zhvillohet nga ora 20:45 më 5 gusht.
Momentalisht, Danimarka ka tri fitore, Kosova dy fitore e një humbje dhe Zvicra tri humbje.
Danimarka dhe Zvicra do të ndeshen më 2 gusht. Nëse danezët fitojnë këtë sfidë, ku janë favoritë, atëherë Dardanët duhet të mposhtin Danimarkën me tetë pikë dallim.
Kosova mundi dy herë Zvicrën, 76:49 dhe 72:76, ndërsa pësoi nga Danimarka 82:75.