Bashkimi Evropian i çon mesazh Serbisë: Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme

0
260

Shqetësim në BE pas qëndrimit të Beogradit se nuk do të zbatojë pika të Marrëveshjes së Ohrit që u arrit në kuadër të dialogut me Kosovën. Prishtina i kërkon BE-së të “heqë dorë nga politika e zbutjes së Serbisë”.

Letra e autoriteteve serbe drejtuar Bashkimit Evropian, se Serbia nuk do ta njohë de facto Kosovën, ashtu siç i kërkohet, se nuk e respekton integritetin e saj territorial, sikundër nuk do të pajtohet për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat përcjellëse të saj ka ngritur shqetësim në BE.

Kjo sepse me të bëhet i qartë moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, e dakorduar në fillim të këtij viti në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Reagimi i BE

Për Bashkimin Evropian, marrëveshja e Ohrit, ndonëse nuk është nënshkruar nga palët, ajo cilësohet ligjërisht e obligueshme.

“Marrëveshja në tërësi mbetet ligjërisht obliguese, dhe se palët ishin pajtuar për këtë në Ohër. Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugëtimit përkatës evropian”, ka thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian, thanë se “marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët dhe se zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane”.

Kjo kërkohet nga deklarata e përbashkët nga takimi i fundjavës së shkuar i nivelit të lartë të BE-së me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, ku u tha se “BE-ja kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“U bëjmë ftesë të dyja palëve që në tërësi të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin e saj, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, thuhet në deklaratën në pjesën që i kushtohet raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Brnabiq: Pajtimi me deklaratën nuk përfshin pajtimin për anëtarësimin e Kosovës në OKB

Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, deklaratën e Samitit të BE-së, e cilësoi “një deklaratë politike që nuk është ligjërisht e detyrueshme”.

“Marrëveshja konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshihet njohja de facto apo de jure e Kosovës.

Pajtimi me deklaratën nuk përfshin pajtimin për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së, e as të ashtuquajturën tërësi tokësore të Kosovës”, thuhet në një njoftim nga zyra e kryeministres së Serbisë.

Sipas zëdhënësit të BE, Stano, Marrëveshja dhe aneksi për zbatim “janë bërë ligjërisht obliguese përmes komunikatës me shkrim të përfaqësuesit të lartë të BE-së Josep Borrell, më 18 mars 2023”.

Por, sipas kryeministres se Serbisë, Ana Bërnabiq, kjo deklaratë “konsiderohet si ligjërisht joobliguese”, dhe se “nuk e ka peshën e marrëveshjes ndërkombëtare, sipas së drejtës ndërkombëtare”.

“Kosova është pjesë integrale e Republikës së Serbisë, nën administrim ndërkombëtar, në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Bërnabiq.

Reagimi nga Prishtina

Autoritetet e Prishtinës reaguan pas refuzimit të Serbisë që ta zbatojë marrëveshjen e Ohrit, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar që siç thonë “të heq dorë nga politika e zbutjes së Serbisë”.

“Serbia shprehimisht shpreh refuzimin e saj për të zbatuar dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të pranojë se politika e zbutjes ndaj Serbisë ka dështuar. Tani nevojitet një ndryshim thelbësor”, shkroi në platformën X, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika  Gërvalla.

Më 26 tetor të këtij viti, udhëheqësit e Gjermanisë, Kancelari Scholz, Presidenti i Francës Macron, kryeministrja e Italisë Meloni dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian, pas takimeve të ndara që zhvilluan në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kosovës i kërkuan themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë, njohjen de fakto të Kosovës.

Kjo përfshihet edhe në Marrëveshjen e Ohrit, e cila sipas burimeve diplomatike nga BE-ja, thuhet se Këshilli Evropian do t’i kërkojë Komisionit Evropian, që të ndryshojë kriteret për anëtarësimin e Serbisë në BE, dhe se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit të bëhet pjesë integrale e kapitullit të 35 për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimi Evropian.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here