Miroslav Klose është golashënuesi më i mirë i Përfaqësueses së Gjermanisë. Me 71 gola ai pritet të jetë edhe shumë vjet i pari në listën e realizatorëve më të mirë në Përfaqësuesen gjermane. Klose, po ashtu, mban rekordin për më së shumti gola në kampionate botërore. Ka 16 gola. Edhe ky rekord pritet të qëndrojë edhe për një kohë.
Ish-sulmuesi tani punon si trajner. Këtë edicion po e drejton Altachun, pas përvojës si trajner që kishte te Gjermania dhe te Bayerni. Dhe duket që Klose ia ka treguar disa sekrete Atdhe Nuhiut, ish-sulmuesit të Kosovës.
Pas bashkëpunimit me Klosen, Nuhiu ka ringjallur plotësisht karrierën. Madje ka shpërthyer në fillim të këtij edicioni. Në katër ndeshje zyrtare, 33-vjeçari ka realizuar gjashtë gola, ndërsa e ka edhe një asistim.
Në tri ndeshje kampionale ka realizuar katër gola e një asistim. Pas një humbjeje e një barazimi, Altachu të dielën shënoi fitore. Fitoi 3:2 ndaj Austria Vjenës, ndërsa Nuhiu e shënoi golin e fitores. Për fitore shënoi në minutën e 94-t. Ai ktheu në lojë skuadrën me golin e shënuar në minutën e 64-t. Ngushtoi rezultatin në 2:1. Për 2:2, Altachu shënoi në minutën e 74-t.
Të dy golat shtatlarti Nuhiu i realizoi me goditje me kokë.
Para se të nisë edicioni në Bundesligën e Austrisë, Nuhiu kishte shënuar dy gola në fitoren 3:1 ndaj TËL Elektra, në kuadër të raundit të parë të Kupës së Austrisë. Nëse vazhdon me formën aktuale, Nuhiu do të ketë edicionin bindshëm më të mirë në karrierë.
Nuhiu ka falënderuar gjithë ekipin pas fitores. Ai ka thënë se është krenar me gjithë ekipin, ndërsa është shfaqur modest kur është pyetur për formën e lartë që po e kalon.
Ndërkohë Klose është shprehur shumë i lumtur për fitoren e parë në kampionat.
“Ne thjesht e kemi merituar të marrim tri pikë në ndeshjen e tretë”, ka thënë Klose pas ndeshjes. “Mendoj se gjëja më e rëndësishme është që kemi vazhduar të besojmë në veten tonë, ndonëse ishim prapa me dy gola. Mendoj se është fantastike dhe jam vërtet krenar me djemtë. Ekipi duhet të besojë në vetvete dhe më pas fitoret si kjo janë të mundshme. Por tani duhet të mbajmë këmbët në tokë. Kemi ende shumë punë për të bërë”, ka shtuar Klose.
Ai shpreson që Nuhiu të vazhdojë me këtë formë. Kështu përvoja e parë si kryetrajner në nivel senior i Kloses do të jetë e suksesshme./Koha