FC Barcelona po përgatit ndryshime të rëndësishme në repartin ofensiv në prag të sezonit të ri, me dy emra që janë në qendër të vëmendjes: Ferran Torres dhe Robert Lewandowski.
Sipas raportimeve nga mediat katalanase, klubi blaugrana është i gatshëm të dëgjojë oferta për Torres gjatë afatit kalimtar veror. Sulmuesi spanjoll po kalon një periudhë të vështirë, duke mbetur pa gol në 11 ndeshjet e fundit, ndërsa ka humbur edhe vendin në formacionin titullar.
Kontrata e Torres me Barcelonën është e vlefshme deri në vitin 2027, por drejtuesit e klubit po shqyrtojnë mundësinë e shitjes së tij këtë verë, për të shmangur rënien e vlerës në të ardhmen. Interesimi nga klubet evropiane pritet të jetë i konsiderueshëm nëse katalanasit vendosin ta nxjerrin në treg.
Në anën tjetër, situata e Lewandowskit mbetet më e qëndrueshme. Pavarësisht moshës, sulmuesi polak vazhdon të jetë një nga pikat kyçe të skuadrës dhe shihet si pjesë e planeve edhe për sezonin e ardhshëm.
Presidenti Joan Laporta ka sinjalizuar më herët dëshirën për ta mbajtur Lewandowskin në ekip, ndërsa mungesa e deklaratave të ngjashme për Torres lë të kuptohet se e ardhmja e tij në “Camp Nou” është gjithnjë e më e pasigurt.
Barcelona pritet të marrë vendime të rëndësishme gjatë verës, në përpjekje për të forcuar skuadrën dhe për të rikthyer dominimin në arenën vendore dhe evropiane./04 Online














































