Barcelona është ende në përpjekje për të regjistruar Marcus Rashford në La Liga para nisjes së sezonit të ri më 16 gusht kundër Mallorcës. Sulmuesi anglez iu bashkua katalanasve në formë huazimi nga Manchester United dhe ka lënë përshtypje pozitive në ndeshjet përgatitore, ndërsa klubi ka një klauzolë blerjeje prej 40 milionë paund për vitin 2026, shkruan 04 Online.
Megjithatë, vështirësitë financiare po e pengojnë përfundimin e regjistrimit. Për ta lehtësuar këtë proces, Barcelona po shqyrton mundësinë e shitjes së Marc Casado, mesfushorit 21-vjeçar që vlerësohet rreth 30 milionë euro. Casado ishte pjesë kyçe në fillimin e epokës Flick, por një dëmtim i ka ndërlikuar pozitat, ndërsa preferenca e trajnerit tani është Marc Bernal.
Një largim i Casado-s, qoftë përmes shitjes apo huazimit, do t’i hapte rrugën Rashford të regjistrohet zyrtarisht për sezonin 2025/26./04 Online