Që nga largimi nga Spotify Camp Nou në qershor të vitit 2023, Barcelona ka pritur me padurim ditën kur do të mund të rikthehej në shtëpinë e saj. Gjatë 12 muajve të fundit, klubi ka vendosur disa afate për rikthimin, por deri më tani asnjë prej tyre nuk është përmbushur, megjithatë, kjo mund të ndryshojë shumë shpejt.
Së fundmi, Barcelona ka marrë licencën e parë të përdorimit për fazën 1A, e cila i lejon klubit të zhvillojë ndeshje në Spotify Camp Nou me kapacitet maksimal prej 27,000 spektatorësh. Megjithatë, është vendosur që rikthimi të mos ndodhë deri në marrjen e licencës për fazën 1B, e cila do ta rrisë kapacitetin në 45,000 tifozë, duke qenë më e leverdishme financiarisht që skuadra të vazhdojë përkohësisht në Estadi Olímpic Lluis Companys.
Barcelona do të përballet këtë fundjavë me Elchen në Montjuïc, por ekziston mundësia që kjo të jetë ndeshja e fundit në La Liga që zhvillohet atje. Sipas “Sport”, pritshmëria brenda klubit është që licenca e re të merret nga Këshilli Bashkiak i Barcelonës midis datave 12 dhe 15 nëntor.
Nëse kjo ndodh, atëherë Barcelona mund të luajë ndaj Athletic Club më 22 nëntor në Spotify Camp Nou, ndonëse raporti shton se edhe rikthimi fundjavën pasuese mbetet opsion. Pikërisht më 29 nëntor, katalanasit presin Alavesin, datë që përkon me 126-vjetorin e themelimit të klubit, çka do të përfaqësonte mundësinë perfekte për një rikthim festiv në shtëpi.
Në ndërkohë, është raportuar se Barcelona synon të zhvillojë një seancë stërvitore të hapur për publikun në Spotify Camp Nou para udhëtimit të radhës ndaj Celta Vigos, ndërsa shumë shpejt pritet që edhe ndeshjet zyrtare të rikthehen në stadiumin historik të katalanasve.
 
            













































