Nëse UEFA në përfundim të hetimit të nisur për “Çështjen Negriera” do të dënonte Barcelonën me përjashtimin nga Champions League pa pritur verdiktet në shkallë të parë dhe të dytë të drejtësisë spanjolle, klubi katalanas do të kërkojë një dëmshpërblim prej jo më pak se 100 milionë eurosh.
Llogaritja sipas Mundo Deportivo, është bërë duke vlerësuar të ardhurat që Barca merr për Champions League cdo sezon, duke i shtuar dhe dëmin për mungimin e të ardhurave nga sponsorët apo marketingu për shkak të mospjesëmarrjes në Champions.
Më pak fjalë nëse dënohet, Barcelona jo vetëm do të apelojë vendimin, por do të prezantojë edhe kërkesën për dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar dhe fitimin e munguar.
Barcelona rrezikon të dënohet përshkeljen e nenit 4 gërma G të rregullores së Champions League, Europa League dhe Conference League që përcakton se për regjistrimin një klub nuk duhet të jetë drejtëpërdrejtë apo indirekt i përfshirë në çdo aktivitet që influencon rezultatin e një ndeshjeje në nivel kombëtar apo ndërkombëtar.
Procedura e kërkimit të dëmshpërblimit do të niste nga Barcelona në momentin që drejtësia penale spanjolle nuk do të gjente asnjë shkelje në çështjen “Negriera”. Në këtë rast do të ishte detyruese për Uefan që nuk mund të ecë kundër legjislacionit në fuqi në një shtet apo të kundërshtojë sentencën. Ka një precedent të një situate të ngjashme, kur UEFA përjashtoi Fenerbahçe nga Champions League 2011-2012 pas akuzave se kishte trukuar ndeshje, një proces në të cilin klubi turk u lirua nga të gjitha akuzat.