Barcelona pritet të ndahet me një nga talentët më premtues të akademisë së saj, Dro Fernandez, i cili gjatë afatit kalimtar të janarit do të largohet nga klubi katalanas.
Mesfushori 18-vjeçar, me origjinë spanjollo-filipinase, kishte filluar të fitonte gjithnjë e më shumë besimin e stafit teknik dhe të integrohej me ekipin e parë këtë sezon. Megjithatë, ai ka vendosur ta vazhdojë karrierën jashtë “Camp Nou”.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle Sport dhe Mundo Deportivo, Fernandez i ka njoftuar drejtuesit e Barcelonës se do të aktivizojë klauzolën e lirimit në vlerë prej 6 milionë eurosh, çka do ta bëjë largimin e tij të pashmangshëm gjatë këtij muaji.
Dro iu bashkua akademisë së Barcelonës tre vite më parë dhe konsiderohej si një nga mesfushorët më premtues të La Masias. Edhe pse klubi do të përfitojë financiarisht nga transferimi, largimi i tij shihet si humbje e madhe për të ardhmen sportive të skuadrës.
Trajneri Hansi Flick kishte mbetur i impresionuar nga paraqitjet e tij gjatë fazës përgatitore, duke e përfshirë në turneun parasezonal në Japoni dhe Korenë e Jugut. Në këtë turne, Dro ishte lojtari i ri që grumbulloi më shumë minuta, madje arriti edhe të shënojë një gol.
Gjatë sezonit aktual, mesfushori i ri ka zhvilluar gjithsej pesë paraqitje me ekipin e parë të Barcelonës, përfshirë dy ndeshje si titullar ndaj Olympiakos dhe Real Sociedad, ku në njërën prej tyre regjistroi edhe një asist.
Drejtori sportiv Deco kishte tentuar të rinovonte kontratën e tij, e cila skadon pas 18 muajsh, por interesimi i madh nga disa klube për të paguar klauzolën e lirimit ka pamundësuar arritjen e një marrëveshjeje të re.
Edhe pse ende nuk ka vendosur për destinacionin e radhës, Dro Fernandez tashmë ia ka bërë të qartë Barcelonës se largimi i tij do të ndodhë gjatë këtij afati kalimtar./04 Online














































