Barcelona ka finalizuar një marrëveshje strategjike për të blinduar të ardhmen e njërës nga perlat më premtuese të akademisë së saj, Pau Cubarsí. Burime të sigurta konfirmojnë se klubi katalunas dhe qendërmbrojtësi 17-vjeçar kanë arritur akord për rinovimin e kontratës deri në vitin 2030, duke ndjekur të njëjtën linjë si yjet e rinj të ekipit, Gavi dhe Pedri, shkruan 04 Online.
Cubarsí, i cili kishte kontratë të vlefshme deri në 2027, tashmë ka garantuar të ardhmen e tij me “Blaugranët” edhe për tre vite të tjera, duke e forcuar pozicionin e tij si pjesë kyçe e mbrojtjes për vitet e ardhshme. Barcelona ka vendosur gjithashtu një klauzolë lirimi të lartë, duke treguar besimin e palëkundur në zhvillimin e tij.
Ky sezon ka qenë thelbësor për Cubarsí, i cili ka shkëlqyer në La Liga me 23 paraqitje dhe 3 asistime, duke treguar pjekuri dhe siguri të rrallë për moshën e tij. Kjo ka bërë që vlera e tij në treg të rritet ndjeshëm, duke arritur në 70 milionë euro sipas Transfermarkt.
Me këtë lëvizje, Barcelona tregon edhe një herë synimin për të ndërtuar një ekip të bazuar te talentet e akademisë, duke i siguruar klubit një të ardhme të ndritur në mbrojtje. Cubarsí konsiderohet pasardhësi i natyrshëm i ikonave si Gerard Piqué, me një stil loje modern dhe aftësi superiore në ndërtimin e aksioneve nga prapavija./04 Online