Ruben Amorim vazhdon të jetë optimist për perspektivën e Manchester Unitedit këtë sezon, pavarësisht se e mbylli një vit 2025 shumë të vështirë me një barazim zhgënjyes 1-1 në shtëpi ndaj Wolves, që po luftojnë për mbijetesë.
Skuadra e Rob Edwardsit erdhi në “Old Trafford” pas 11 humbjeve radhazi në Premier League, me klubin nga Midlands i ngulitur në fund të tabelës, me vetëm dy pikë nga 18 ndeshje.
Megjithatë, ata u larguan nga “Old Trafford” me pikën e tretë të sezonit, pasi goli i parë i Unitedit nga Joshua Zirkzee, i devijuar, u barazua nga Ladislav Krejci, në një ndeshje që u zhvillua vetëm tri javë pasi skuadra e Amorimit kishte fituar 4-1 në “Molineux”.
Bruno Fernandes, Bryan Mbeumo dhe Mason Mount shënuan në atë takim, por ishin mes tetë mungesave për Unitedin, që ndodhet në vendin e gjashtë dhe është dy pikë prapa kampionëve në fuqi të Anglisë, Liverpoolit – që kanë edhe një ndeshje më pak – në garën për vendin e fundit të garantuar në Ligën e Kampionëve.
“Jam shumë i sigurt,” tha trajneri i Unitedit, Amorim, në gjysmën e sezonit. “Na duhet vetëm të rikuperojmë të gjithë lojtarët dhe jam shumë i bindur.
“Nuk e di çfarë do të ndodhë deri në fund të sezonit. Pastaj do ta bëjmë përmbledhjen e sezonit.”
Megjithatë, 40-vjeçari portugez shtoi: “Jam shumë i sigurt se kur t’i rikuperojmë të gjithë lojtarët do të jemi një skuadër e fortë. Nuk kam asnjë dyshim në mendjen time.”
Ndeshja e parë e Unitedit në vitin 2026 është në transfertë ndaj rivalëve të vjetër Leeds të dielën, me Amorimin që tha se “nuk do të rrezikojë askënd” duke përkeqësuar dëmtimet ekzistuese.
Gjithsesi, “Djajtë e Kuq” kanë nevojë urgjente për frymëzim, i cili mungoi ndaj Wolves. Amorim e zëvendësoi autorin e golit Zirkzee – i aktivizuar në vend të Mount të dëmtuar – në pushimin mes pjesëve, duke futur në lojë adoleshentin Jack Fletcher.
Amorim konfirmoi se vendimi ishte “thjesht taktik”, duke shtuar: “Duhej të bënim atë që kërkonte loja.
“Po hasnim vështirësi, ata kishin vendosur shumë lojtarë në mesfushë dhe me Jackun e balancuam atë repart. Mendoj se e rikuperuam topin më shpejt në pjesën e dytë.
“Në pjesën e parë patëm pak vështirësi në rikuperimin e topit, kështu që në këtë moment nuk po shikoj moshën apo përvojën. Thjesht po shikoj se çfarë mund të bëj për ta fituar ndeshjen.”
United u rikthye te mbrojtja me tre lojtarë, e preferuara e Amorimit, pasi më parë kishte fituar me një vijë mbrojtjeje me katër, ndërsa trajneri i Wolves, Rob Edwards, u shpreh krenar për skuadrën e tij pasi siguruan pikën e parë që nga marrja e detyrës muajin e kaluar.
“Është bukur të marrësh diçka nga kjo ndeshje,” tha Edwards para përballjes së së shtunës ndaj një tjetër skuadre në vështirësi, West Hamit. “Mendoj se është minimumi që e meritonim. Është progres. Në përgjithësi, ishte një paraqitje shumë e mirë.”














































