Ballkani sonte synon kualifikimin në rrethin e tretë të UECL-së

0
131
Foto: Arkiva

Ballkani do ta zhvillojë sot ndeshjen e dytë kthyese ndaj kampionit të Maltës, Hamrun Spartans, në kuadër të rrethit të dytë të Ligës së Konferencës, ndeshje e cila do të përcaktojë fatin e skuadrës kosovare për vazhdimësinë apo jo të garës.

Kampioni i Kosovës do të kërkojë triumfin sonte në Maltë, për t’u kualifikuar në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës, që do të ishte një hap përpara drejt ‘play-off’ për fatin e grupeve.

‘Portokallinjtë’ barazuan pa gola në ndeshjen e parë në Podujevë, por ishin dominues në çdo aspekt të lojës ndaj kundërshtarit, përveç golit i cili mungoi, shkruan Sinjali Sporti.

Kujtojmë që klubi nga Suhareka shkroi histori në futbollin kosovar për dy vite radhazi, duke u kualifikuar në grupe të një kompeticioni madhor evropian në secilën nga dy sezonet e fundit, diçka që asnjë ekip tjetër kosovar nuk e ka bërë asnjëherë të vetme.

Në rast të kualifikimit sonte, Ballkani në raundin e tretë të Ligës së Konferencës do të përballej me skuadrën irlandeze Larne.

E Larne nuk është ekip i panjohur për kampionin e Kosovës, pasi me të u përball hiç më larg se sezonin e kaluar, kur në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës, Ballkani u kualifikua tutje me rezultat të përgjithshëm 7-1, duke i fituar dy përballjet.

Megjithatë, fillimisht Ballkani do të duhet ta kalojë pengesën e sotme, Hamrun, për t’u përballur më pas me ekipin e Larnes, që do të determinonte më pas fatin e skuadrës që do të siguronte ‘play-offin’ përpara grupeve të kësaj gare.

Dueli zhvillohet me fillim nga ora 20:00.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here