Ballkani, skuadra që me vlerën e 5 milionë eurove mposhti atë 80 milionëshe të Dinamo Zagrebit

0
267

Ballkani arriti mbrëmë një nga fitoret më të mëdha në histori të klubit.

‘Suharekasit’ mposhtën në “Fadil Vokrri”, gjigantin kroat dhe 24 herë kampionin e ligës përkatëse, Dinamo Zagreb, në ndeshjen e dytë të fazës grupore të Ligës së Konferencës për edicionin 2023-24.

Ballkani e mposhti me rezultat 2-0 klubin kroat, me golat e Almir Kryeziut dhe algjerianit, Walid Hamidi.

Me këtë triumf, Ballkani i hap dyert vetes për një kalim potencial të grupeve, duke u renditur tani në pozitën e dytë, me pikë të barabarta me Dinamo Zagreb me nga tre, me Viktoria Plzen e cila i prin tabelës me 6 pikë.

Ndonëse Dinamo Zagreb konsiderohej favorit i padiskutueshëm për këtë duel, duke ditur vlerën e skuadrës, përvojën në garat evropiane e dominimin në ligën kroate, Ballkani ia hodhi poshtë të gjitha këto, duke e gjunjëzuar në “Fadil Vokrri”, shkruan Sinjali Sporti.

Nëse shikohet vetëm vlera e skuadrës, Dinamo Zagreb qëndron pakrahasimisht shumë larg skuadrës kosovare, Ballkani.

Sipas Transfermarkt, vlera e Dinamo Zagrebit është afro 80 milionë euro, apo saktësisht €79.80m.

Ndërsa ajo e Ballkanit është shumëfish më e ulët, ku sipas Transfermarkt, vlera e klubit kosovar është €5.43m.

Kjo sigurisht se nuk i bëri aspak punë skuadrës kroate, e cila u mposht bindshëm nga Ballkani me një vlerë dukshëm më të vogël, me trajnerin e Dinamos që pas ndeshjes mbrëmë shtoi se kjo ishte humbja më e rëndë në karrierën e tij.

“Një disfatë e merituar. I kërkoj falje të gjithë Kroacisë dhe tifozëve. Marr përgjegjësinë. Ne patëm atë që kishim, u përpoqëm të përfitonim maksimumin prej saj. Ata ishin shumë më të mirë se ne Kjo është humbja më e vështirë në karrierën time”, u shpreh ai.

Ai gjithashtu tha se kjo humbje ndaj Ballkani mund ta lë atë pa punë, duke shtuar se sot mund të mirret një vendim për të.

“As që e di nëse ishte ndeshja e fundit për mua, duhet të fle, pastaj të marr një vendim për të. Mendoj se jam edhe unë përgjegjës dhe mendoj se jap maksimumin, të gjithë veten time për këtë klub”, deklaroi ai.

Ndërkohë trajneri i Ballkanit, Ilir Daja u shpreh se emëruesi i përbashkët për këto suksese është grupi i bashkuar.

“Kemi bërë shumë histori. Kemi dy vjet që marrim pjesë në grupe, bëmë performanca shumë të mira. Kjo ka emërues të përbashkët këta djem që po luftojnë shumë. Me ekipe të tilla natyrshëm që nuk mund të bësh një lojë briliante, pasi ata kanë shumë eksperiencë dhe kualitet. Këtë ‘diferencë’ e zbusim sepse jemi grup, luftojmë bashkë prej atyre që janë në fushë e deri ata që janë në pankinë. Ne kemi studiuar kundërshtarin, ata janë ekip që duhet respektuar në maksimum. Kishim fokus të veçantë te kapiteni dhe disa lojtarë tjerë me kualitet, kjo rezultoi pozitive, megjithatë pa karakterin luftarak të djemve nuk do ishin të mundura gjithë këto suksese që kemi arritur deri sot“, tha Daja.

Ballkani ndeshjen e ardhshme në Ligën e Konferencës e zhvillon sërish në “Fadil Vokrri”, ku e pret skuadrën nga Kazakistani, Astana, më 25 tetor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here