Ballkani shënon fitore dramatike në Turqi, hapet rruga e kualifikimit tutje në Ligën e Konferencës

0
763

Ballkani ka regjistruar fitoren e parë dhe historike në Ligën e Konferencës.

Kampionët e Kosovës fituan në udhëtim me rezultatin 3:4. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Yeni 4 Eylul” dhe ishte e vlefshme për raundin e tretë në Grupin G, shkruan Gazeta Express.

Vendasit ishin të parët që kaluan në epërsi, duke shënuar që në minutën e parë të ndeshjes. Fredrik Ulvestad ishte autor i golit për Sivassporin.

Megjithatë, skuadra nga Suhareka përmbysi gjithçka në vazhdim për të shkuar në pushim me epërsi prej një goli.

Kapiteni, Armend Thaqi, shënoi nga distanca në minutën e 20-të për të barazuar fillimisht rezultatin.

Pas tij, ishte radha për mbrojtësin e krahut të majtë, Arbër Potokun, i cili shënoi në minutën e 31-të.

Epërsia e skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja u thellua në pjesën e dytë, kur Meriton Korenica shënoi në minutën e 66-të.

Skuadra turke ia doli të shënonte edhe dy golat e barazimit. Erdogan Yesilyurtit shënoi në minutat 75 dhe 90+1.

Por, Ballkani nuk u dorëzua dhe arriti sërish të shënonte për të vulosur fitoren. Ermal Krasniqi shënoi në minutën 90+4.

Kështu, Ballkani e mori fitoren e parë dhe tani me 4 pikë të grumbulluara renditet në pozitën e dytë në grup, aq sa ka edhe Sivasspori një pozitë më poshtë.

Ndeshja e radhës për Ballkanin do të jetë sërish kundër Sivassporit, më 13 tetor – por, kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”. /Gazeta Express

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here