Dy ndeshjet e plejofit të Ligës së Konferencës kundër BATE Borisovit, te Ballkani po i konsiderojnë si tejet të rëndësishme. Madje, po i vlerësojnë si më të rëndësishmet të këtij viti pasi prej tyre varet e ardhmja në garën e UEFA-s, këtë edicion.
Kështu, ka insistuar të hënën për KOHËN, mbrojtësi i krahut të djathtë i Ballkanit, Armend Thaqi. Kampioni i Kosovës është larg vetëm 180-të minuta larg përsëritjes së suksesit historik të edicionit të shkuar – paraqitjes në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. E për të qenë sërish pjesë e grupeve të kësaj gare, që i takon nivelit të tretë i UEFA-s, Ballkani duhet ta eliminojë BATE Borisovin e Bjellorusisë. Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave, zhvillohet të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndërsa, ajo e kthimit një javë më vonë në Hungari. Sipas Thaqit, duelet me BATE-n, lirisht mund të llogariten si finale, jo vetëm për Ballkanin por edhe për ekipin nga Bjellorusia. Thaqi, ka insistuar se së bashku me lojtarët e tjerë të Ballkanit, do të japin gjithçka nga vetja për shkak se duan edhe një herë të luajnë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Thaqi, i cili i mungoi Ballkanit në dy ndeshjet e fundit, të kthimit ndaj Lincolnit dhe në kampionat ndaj Feronikelit ’74, pritet të jetë i gatshëm për BATE-n.
“Jemi në ndeshjet më të rëndësishme të gjithë vitit, realisht janë ndeshje finale si për ne ashtu edhe për kundërshtarët. Do të jenë ndeshje të vështirë, për shkak se BATE është një ekip i fortë dhe këtë e kemi parasysh. Duke pasur parasysh rëndësinë që e kanë këto dy ndeshje, nuk do të jetë lehtë për asnjërën palë. Megjithatë, ne do të japim gjithçka nga vetja për të avancuar tutje, pasi ndeshje të tilla nuk vijnë gjithmonë”, është shprehur Thaqi.
Pavarësisht se ka vlerësim të lartë për BATE-n, Thaqi beson se ekipi bjellorus është kundërshtar i kalueshëm. Sipas tij, Ballkani tashmë ka arritur objektivin fillestar që e kishte – plejofin – dhe tani po synon qëllimin e madh po kryesor të këtij edicioni – fazën e grupeve. BATE Borisov është ekipi më i suksesshëm i futbollit në Bjellorusi, me 15 tituj kampioni të fituar. Edicionin e shkuar përfundoi i treti, ndërsa përvoja në arenën ndërkombëtare nuk i mungon aspak. Është ekipi i vetëm nga Bjellorusia që ka luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, në të cilën është kualifikuar në gjashtë raste. Po ashtu, i ka edhe katër paraqitje në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
“BATE është skuadër shumë e fortë, pasi vitet e kaluara ka luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Sigurisht, që nuk do të jetë lehtë, por ne jemi të gatshëm që të mos kursehemi për ta përsëritur suksesin historik të edicionit të shkuar. Do të ishte diçka madhështore, jo vetëm për Ballkanin por edhe për futbollin tonë”, shtoi Thaqi.
Krahas përparësisë në ndeshjen e parë, të cilën e luan para tifozëve të tij, Ballkani mund ta ketë edhe një avantazh të lehtë edhe në duelin e kthimit. Kjo për faktin se ajo luhet në Hungari, pasi UEFA nuk lejon ekipet nga Bjellorusia që në garat evropiane të luajnë në vendin e tyre për shkak të përkrahjes që i ka dhënë Rusisë në luftën kundër Ukrainës. UEFA ka vendosur që ky ballafaqim të luhet në stadiumin “Mezokovesd Varosi”, që ka kapacitet prej 4500 ulëseve.
“Normalisht, që në njërin aspekt do të jetë më e lehtë për shkak se luhet në Hungari dhe jo në Bjellorusi, ku BATE do ta kishte përkrahjen e madhe të tifozëve vendas. Mirëpo, në asnjë mënyrë nuk mund të themi se do të jetë një përparësi e madhe për ne. Kjo, për shkak se në vitet e fundit ka filluar të barazohet aspekti i përparësisë së fundit dhe gjithçka mbetet e hapur në të dyja ndeshjet”, është shprehur Thaqi.
BATE këtë edicion në Evropë, e nisi në Ligën e Kampionëve, ku në raundin e parë kualifikues e eliminoi Partizainin e Tiranës, përpara se të eliminohet nga Aris Limassoli i Qipros në të dytën. Pas kësaj, BATE garat i vazhdoi në rundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës, në të cilin u eliminua nga Sheriff Tiraspoli i Moldavisë, me rezultatin e përgjithshëm 7:3. Edhe rrugëtimi i Ballkanit në garat e UEFA-s, këtë edicion nisi nga Championsi. Ekipi nga Suhareka po paraqitet për herën e dytë rresht në arenën evropiane. Edicionin e shkuar, arriti suksesin më të madh, pasi u bë ekipi i parë nga Kosova që u kualifikua në fazën e grupeve të njërës prej tri garave të UEFA-s – Ligën e Konferencës. Ballkani, u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve nga Ludogoretsi i Bullgarisë. Pas këtij eliminimi, aventurën e vazhdoi në Ligën e Konferencës dhe pasi kaloi me sukses Larnen e Irlandës së Veriut dhe Lincol Red Imps të Gjibraltarit, Ballkani është para pengesës së fundit – BATE Borisov – për ta përsëritur suksesin e vitit të shkuar. Krahas Ballkanit, këtë edicion në plejofin e kësaj gare, do të paraqiten edhe Partizani i Tiranës dhe Struga. Partizani përballet me Astanan, ndërsa Struga do të ketë punë me Breidablikun./Koha