Deputetja Duda Balje ka thënë se arsyeja pse deputeti Armend Muja kërkoi dorëheqjen e saj nga Komisioni për Energji, lidhet me faktin se LVV e do në Komision një deputet nga grupi multietnik, që do të votonte ashtu siç dëshiron partia në pushtet.
“Haki Abazi ka dhënë dorëheqje, dhe jam shumë e sigurt se Vetëvendosja po do të më zëvendësojë mua me dikë tjetër prej grupit parlamentar multietnik, me ndonjë deputet që ndoshta është më shumë i disiplinuar, unë sot ju kam thënë, nëse dëshironi një deputet që voton 100 për qind siç ju doni, thuajeni, unë vetë jap dorëheqje. Në këtë mënyrë është një sjellje shumë e keqe, nuk u ndjeva mirë, sepse ne jemi koalicion dhe duhet të respektojmë njëri-tjetrin”, tha Balje në Info Magazine në Klan Kosova.
Balje tha se mungesat e saj në Komision, në të cilat thirrej deputeti Muja, i ka arsyetuar.
“Kam qenë në Hagë, pastaj kam qenë në Maqedoni, kam arsyetuar mungesat. Nuk e kam shkelur ligjin, unë kam kontaktuar non-stop me kryetarin. Ne prej fillimit të këtij Komisioni nuk kemi caktuar se si të arsyetohet mungesa, nuk i kemi caktuar disa rregulla, dhe mendoj se për ata kam dalë jo e disiplinuar, sepse unë jam në koalicion, dhe domethënë më duhet të votojë siç voton shumica. Unë nuk kam votuar disa herë në Kuvend, as tani në Komisionin Hetimor, dhe në fakt problemi kryesor është se ata kanë vetëm katër vota. Unë në takimin e fundit kam votuar kundër një propozimi të Vetëvendosjes, dhe tani ata nuk janë të sigurt, nuk e kanë shumicën”, u shpreh tutje deputetja Balje.