Bali Muharremaj ndër liderët më me ndikim në Kosovë sipas Election Scanner të Pikasa Analytics

0
168

Sipas të dhënave më të fundit nga platforma analitike Election Scanner, e zhvilluar nga Pikasa Analytics, Bali Muharremaj, Kryetar i Komunës së Suharekës, renditet i dyti në nivel vendi për performancën dhe angazhimin publik në periudhën parazgjedhore.

Election Scanner është një platformë inovative që monitoron mijëra artikuj mediatikë dhe postime në rrjetet sociale, duke analizuar në kohë reale dukshmërinë, përmbajtjen dhe ndikimin e komunikimit të udhëheqësve politikë në publik. Në këtë periudhë kur ende nuk ka nisur zyrtarisht fushata elektorale, platforma ofron një pasqyrë të qartë se cilët liderë po formësojnë narrativat politike dhe si po rezonojnë ato me qytetarët.

Pikërisht në këtë kontekst, emri i Bali Muharremajt shquhet për qasjen e tij konsistente dhe emocionale në komunikim. Edhe pse nuk ka numrin më të madh të paraqitjeve publike apo mediatike, Muharremaj ka arritur të gjenerojë mbi 32,000 angazhime, duke përfshirë pëlqime, komente, shpërndarje dhe reagime të tjera në platformat digjitale.

Një nga shtyllat e këtij suksesi është padyshim puna dhe përkushtimi i Kryetarit Muharremaj gjatë 8 viteve të qeverisjes, kohë gjatë së cilës ai ka ndërtuar dhe kultivuar një lidhje të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshme me qytetarët. Kjo lidhje nuk është ndërtuar vetëm përmes kanaleve formale, por edhe përmes komunikimit të hapur, takimeve në terren dhe reagimeve të shpejta ndaj kërkesave dhe nevojave të komunitetit.

Analiza tregon se ky nivel angazhimi nuk është rastësor. Muharremaj ka ditur të ndërtojë një narrativë që thekson krenarinë kulturoreidentitetin lokal dhe lidershipin pranë qytetarit. Ky ton emocional dhe përmbajtja e afërt me realitetin e përditshëm të qytetarëve po rezulton të jetë më efikase sesa qasjet tradicionale të komunikimit politik të bazuara vetëm në statistika apo premtime.

Në një kohë kur liderët politikë po përgatiten për zgjedhjet lokale dhe qendrore, performanca e Bali Muharremajt sipas Election Scanner sinjalizon një ndryshim të qasjes publike: qytetarët nuk kërkojnë vetëm informim, por lidhje emocionale dhe përfaqësim autentik.

Nëse trendet aktuale vazhdojnë, Suhareka mund të bëhet jo vetëm një shembull i menaxhimit lokal efektiv, por edhe një model i ri i komunikimit politik në Kosovë./radiovala.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here